Prej shumë vitesh në arbitrim, për Ditmar Jubicën tashmë ka nisur një erë e re. Ajo si drejtor teknik i një klubi futbolli të ri të krijuar. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, arbitri i njohur ka shpjeguar edhe arsyet që e detyruan të largohej nga pasioni i tij i madh i jetës.
Po ashtu, ka shpjeguar pse zgjodhi t’i bashkohet projektit të FC Basania duke na rrëfyer në intervistën e tij edhe projektet që ai bashkë me drejtuesit e këtij klubi kanë për të ardhmen.
– Jubica, pse vendosët të lini arbitrimin dhe të merrni detyrën e drejtorit teknik të FC Basania?
Nuk jeni i vetmi që ma bëni këtë pyetje. Ma kanë bërë edhe shumë të tjerë, jo vetëm për pozicionin, por edhe për ekipin që zgjodha për të drejtuar. E mora këtë inisiativë sepse njerëzit më njohin vetëm si arbitër, por ndoshta ata nuk e dinë që unë kam studiuar degën e Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” e po ashtu zotëroj edhe një master nga Universiteti i Sporteve të Tiranës.Këto janë premisa të mira për të qenë vazhdimisht pranë futbollit.
– Keni hequr dorë përfundimisht nga arbitrimi?
Nuk ma ban zemra me thanë se kam heqë dorë nga arbitrimi. I kam kushtuar shumë kohë, kam qëndruar shumë netë pa gjumë për të, kam sakrifikuar shumë me udhëtime të gjata e të stërmundimshme sepse në momentin kur unë kam fillu arbitrimin, nuk kanë qenë këto kushte që janë sot.
Sot ka vështirësi të tjera në fakt dhe unë për momentin nuk e gjej më veten tek arbitrimi. Nuk mundem me thanë se kam heqë dorë përfundimisht sepse kam dy mundësi për të vazhduar karrierën time jashtë Shqipërisë dhe jam duke i studiuar me qetësi.
Me thanë të drejtën, kam marrë shumë kënaqësi nga arbitrimi. Ndoshta jo nga ata që e kanë për detyrë me ta dhanë këtë kënaqësi sepse në fakt ata janë bërë shpeshherë pengesë në karrierën time, por nga njerëzit e thjeshtë, nga ata që e duan futbollin me zemër dhe emocionohen kur shohin futboll.
Kam marrë dhe vazhdoj me marrë mesazhe inkurajimi që të rikthehem sërish në fushë, por për momentin nuk e gjej veten aty duke pasë parasysh se çfarë ndodh në fushat e futbollit. Njerëzit ndoshta e shohin nga larg, por di të them se arbitrimi po shkon çdo ditë e më poshtë. Unë ka tre vite që e mendoj tërheqjen dhe për momentin jam larguar nga arbitrimi.
Nuk mundem me thanë cila do të jetë koha e rikthimit apo, do të rikthehem më në arbitrim. Mendoj se shumë shpejt, të gjithë sportdashësit dhe ata që më pyesin do të kenë një përgjigje, ndoshta jo fort të kandshme për drejtuesit, por të kandshme për tifozët.
– Basania një projekt i ri dhe serioz për ju?
Kam pas edhe oferta të tjera për t’u ofruar në futboll, për të qenë pjesë integrale e një klubi apo Akademie, por më bindi Basania. Shumë njerëz mund të jenë skeptik sepse është një emër i ri në futbollin e Shkodrës dhe në veçanti në Zonën e NënShkodrës. Ajo që më bindi është serioziteti i drejtuesve, pasioni që ato kanë për futbollin dhe mënyra e ndryshme e menaxhimit që mendoj se do ta bëjmë të gjithë bashkë.
Jemi vetëm në hapat e parë, sapo kemi filluar të gërmojmë themelet e ardhshme të cilat janë më të rëndësishme me ndërtu një ndërtesë. Kjo do të marrë kohën e nevojshme, ne jemi në fazën e investigimit se ku i kemi problemet, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për një projekt të gjatë në kohë.
Ideja ime nuk ka qenë për t’u angazhuar për një kohë të shkurtër, por për një kohë të gjatë dhe për të ofruar gjëra të ndryshme nga futbolli që u ofrojnë sot fëmijëve. Ne do të jemi diçka ndryshe.E di që është një fjalë që përdoret shpeshherë në zhargone të ndryshme, edhe në momente ndoshta të papërshtatshme por unë besoj.
Të njëjtin besim duhet të kenë të gjithë, duke filluar nga ato prindër që kanë vendosë t’i sjellin fëmijët tek ne, por edhe të tjerët që akoma nuk e dinë dhe nuk besojnë tek ne. Besoj dhe mendoj se ata duhet të afrohen sa më shpejt në Akademinë “Basania” duke pasë parasysh se ne ofrojmë kushte të mirë stërvitje, trajnerë të liçensuar dhe çka është më e rëndësishmja, stërvitja është me tarifë zero.
Pra të gjitha shërbimet që ne ofrojmë janë me tarifë zero. Prandaj çdo prind që mendon se ka një fëmijë të talentuar, të mos hezitojë për ta sjellë tek FC Basania.
– Cilat janë objektivat dhe synimet e Jubicës por edhe të drejtuesve të tjerë të Basanias?
Objektivat i kemi krejt të qartë, të bukur dhe të shëndetshëm. Kryesore për ne është të rrisim individë të shëndetshëm, që nesër a pasnesër këto individë të japin një kontribut të mirë për shoqërinë tonë. Pastaj nëse ata do të kenë vullnetin e dëshirën për t’u bërë edhe futbollistë të mirë, shpresoj që këtë ta arrijnë tek FC Basania dhe ne po punojmë për t’i ndihmuar ata që përmes kapaciteteve që u kemi vënë në dispozicion dhe në shërbim të tyre.