Drejtori sportiv i KF Vllaznia Matko Djarmati ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin “Sport Shoë” në TV1 Channel dhe ka bërë një analizë të punës së bërë deri tani në skuadër, duke u ndalur fillimisht tek merkatoja, afrimet dhe largimet e lojtarëve.
“Kemi provuar të mbajmë boshtin e skuadrës të sezonit të kaluar. Unë, trajneri, zëvendëstrajneri, trajneri i dytë dhe ai i portierëve, kemi bërë një analizë të hollësishme të 33 ndeshjeve të sezonit të kaluar. Kemi krijuar një ide të qartë për secilin lojtar, për ata që do të largoheshin dhe ata që do të afronim në skuadër.
Çdo vendim për merkaton te Vllaznia e kemi marrë një grup specialistësh, nuk ka vendosur një person i vetëm. Kemi patur objektiv të shtojmë konkurrencën në skuadër, të rrisim cilësinë, duke eliminuar atë çfarë kishte ndodhur sezonin e kaluar kur disa lojtarë kishin luajtur jo në pozicionet e tyre, nisur nga nevojat që kishte patur skuadra. Shembulli më i mirë ishte ai që Vllaznia nuk kishte për 6 muaj me rradhë mbrojtës të majtë në kontigjentin e saj të lojtarëve”.
Të gjithë tashmë presin startin e kampionatit dhe tifozët në Shkodër duan të shohin me padurim Vllazninë e tyre në fushën e lojës, me shpresën se gjërat sivjet kanë ndryshuar dhe ajo do të luajë me të tjera pretendime. Por këtë gjë mesa duket pret edhe drejtori Djarmati, i cili nga ana tjetër thotë se nënlerësimi që po i bëhet aktualisht në opinion skuadrës shkodrane, është diçka pozitive.
“Unë jam shumë optimist për skuadrën që kemi ndërtuar dhe mezi po pres që të fillojnë ndeshjet. Jam i bindur se do kemi sukses dhe Vllaznia ka për t’u renditur në pesë vendet e para në tabelën e renditjes. Kemi 25 lojtarë të gatshëm, kemi cilësi në rradhët e tyre.
Nëse dikush mendon se Tirana, Kukësi, Laçi, Teuta e Partizani, janë shumë më mirë se ne, ndoshta unë do të mendoja se kjo është diçka pozitive për Vllazninë. Nëse vërtetë ata na nënvlerësojnë, ju garantoj se kanë për të hasur shumë probleme me ne”./SHKODRA-SPORT.COM/