Kukësi këtë dimër ka pësuar një revolucion të madh. Shumë titullarë janë larguar, teksa mësohet se një tjetër senator do të lërë skuadrën.
Kontrata e Erhun Obanor me verilindorët ka përfunduar këtë verë dhe klubi ishte në bisedime me të për të rinovuar kontratën. Kërkesat e nigerianit kanë qenë mjaft të larta dhe klubi po mundohej prej ditësh të ulte pretendimet e tij.
Kjo nuk ka ndodhur dhe 25-vjeçari ka vendosur të lërë nënkampionët e vendit. Në miqësoren e djeshme ndaj Vllaznisë, Obanor nuk është aktivizuar, por e ka ndjekur nga tribuna ndeshjen dhe pas saj me shumë mundësi ka ardhur lamtumira me klubin.
Ikja e nigerianit krijon një hapësirë shumë të madhe në skuadër, pasi ishte një nga më të mirët e Kategorisë Superiore në pozicionin e tij.
Te Kukësi tashmë janë të detyruar të lëvizim dhe indiciet janë se po punohet për të sjellë një qendërmbrojtës po aq cilësor sa Obanor. Mbetet të shihet sesi do të veprohet, pasi edhe zyrtarizimi i largimit të Obanor nuk ka ardhur ende dhe gjithçka mund të ndodhë.
Kujtojmë se së fundmi nga Kukësi u largua Bruno Telushi, i cili siguroi një kontratë te Nefçi Baku dhe klubi e la të lirë. /vipsport/