Braziliani Patrik ishte një nga heronjtë në sfidën me Kukësin, ku shënoi një gol për t’u pasur zili. Pas gëzimit të së dielës, “Panorama Sport” mëson se të hënën sulmuesi ka rrezikuar seriozisht jetën, duke shpëtuar “për qime”, siç thuhet në zhargonin e zakonshëm.

Lojtari, i cili njihet për dashurinë që ka për biçikletat, monopatinat, dje kishte vendosur të vinte në stërvitje më këmbë. Përballë kompleksit “Skënder Halili”, prej kohësh po ndërtohet një pallat i madh, dhe braziliani i shpenguar kalonte poshtë tij. Në një moment një shufër hekuri ka rënë nga lartësia te këmbët e tij, por për fat të mirë pa e dëmtuar.

Lojtari kur erdhi në stërvitje ishte i tronditur, duke pranuar se për pak mund t’i kishte rënë shufra e madhe e hekurit mbi kokë, por fati deshi të ishte mirë e bukur. Nga ana tjetër, në një intervistë ekskluzive për gazetën, braziliani i bardhebluve foli për golin, jetën në Tiranë, por edhe Tiranën që kërkon titullin kampion. Lojtari luan si në qendër dhe në krahun e majtë.

Sulmuesi është vetëm 24 vjeç, ndërkohë që lojtari ka një eksperiencë të madhe në Austri. Skuadrat ku ka luajtur Patrik janë disa: Admira Vaker, FK Kabala, SV Horn, Friburguense-RJ, Bonsucesso FC, América-RJ. Lojtari vlerësohet 300 mijë euro në merkato. Sezonin e fundit ai ka qenë te Kabala, ku është aktivizuar në 21 ndeshje, 8 në Bundesligën austriake, tri në Kupën e Austrisë dhe 10 me Kabalën në Azerbajxhan.

Mund të jetë një imazh i 3 persona, personat duke marrë pjesë në sporte dhe ambiente të jashtme

Goli i parë në Superiore për Patrikun prej nisjes së aventurës së tij te Tirana?

Jam i lumtur për golin e parë që shënova me fanellën e Tiranës në Kategorinë Superiore. Dua që të shënoj sërish dhe të ndihmoj skuadrën time për të shënuar të tjerë gola në takimet e ardhshme.

Ama ju edhe pse keni shënuar vetëm një gol, në sfidat e kaluara keni dhënë asiste?

Po, është e vërtetë dhe kjo më kënaq, pasi ndihem i rëndësishëm për skuadrën që i shërbej. Kryesorja mbetet që të fitojë skuadra. Do të vazhdoj të bëj më të mirën për të qenë në qendër, duke dhënë asiste apo shënuar gola.

Tirana është në vendin e dytë të renditjes, por është skuadra kampione e Shqipërisë. Mund ta fitojë Tirana titullin edhe këtë sezon?

Besoj se po. Shpresoj shumë që të rifitojmë titullin kampion. Ama duhet të luftojmë ndeshje pas ndeshjeje, duke qenë më afër njëri-tjetrit. Nëse e bëjmë këtë është e sigurt që e fitojmë titullin kampion.

Trajneri Orges Shehi gjithmonë ka thënë në intervistat e tij se Patrik po sakrifikohet për ekipin..

E falënderoj trajnerin për fjalët dhe përkrahjen. Ka folur me mua disa herë dhe më beson në formacion. Po kështu edhe shokët e skuadrës kanë bërë të njëjtën gjë. Jemi të gjithë si një familje e madhe.

Ju luani si qendërsulmues, por ku ndihet më mirë Patriku, në qendër të sulmit apo në krah?

Për mua është një eksperiencë e re ajo e të luajturit në qendër të sulmit. Nuk ka rëndësi nëse më fusin në qendër apo në krah të sulmit, sepse në thelb është diçka e njëjtë. Pozicioni im natyral është “uinger” i majtë, por do të pranoj çdo vendim të trajnerit.

Ju pëlqen qyteti i Tiranës dhe a jeni përshtatur me shtëpinë e re këtu në Shqipëri?

Qyteti më pëlqen shumë. Është shumë i bukur. Ditët e para që jam këtu dhe po e shijoj në maksimum. Kam pasur mundësinë që ta vizitoj dhe të lëviz kudo. E bukura është që të gjithë më kanë njohur dhe më thoshin: ‘Oh, ju jeni lojtari i ri i Tiranës’, dhe për këtë jam shumë i gëzuar. Nuk e prisja kaq mirë.