Ndaj Viktoria Plzenit dhe Sampdorias, Interi shijoi rikthimin e Romelu Lukakut pas dëmtimit, që e mbajti jashtë fushave që prej 28 gushtit, madje përballë çekëve belgu e vulosi me gol zbritjen e tij në fushë pas një kohe të gjatë. Por ndërsa Inzagi po planifikonte t’i besonte të paktën një pjesë loje sulmuesit mbrëmjen e sotme ndaj Bajernit, si një test për ta pasur të gatshëm për 90 minuta ndaj Juventusit, 29-vjeçari është ndalur përsëri.

Këtë herë një cikatrice në tendinin e muskulit të kofshës së majtë do ta detyrojë Lukakun të humbasë sfidën ndaj bavarezëve dhe atë ndaj bardhezinjve, ndërkohë që javën e ardhshme gjendja e tij do të rivlerësohet.

Në një moment të tillë me Botërorin kaq pranë, patjetër që frika më e madhe e lojtarëve është ta humbasin atë, por rasti i belgut nuk duket i tillë. Deri në vlerësimin e ardhshëm, tek Interi shpresojnë se Lukaku do të jetë gati për sfidën ndaj Bolonjës mesjavën e ardhshme ose maksimalisht për sfidën e fundit të këtij viti për klubin, atë ndaj Atalantës.

INZAGI – Kjo ndalesë e Lukakut ka prishur kështu planet e Inzagit, siç ka konfirmuar vetë trajneri në konferencën e djeshme për shtyp, që kërkon të shfrytëzojë momentin e mirë të skuadrës për të bërë një paraqitje dinjitoze përballë Bajern Mynihut, pavarësisht se ndeshja do të vlejë vetëm për statistika, sepse renditja e grupit C është caktuar tanimë, me gjermanët të parët dhe zikaltrit në vendin e dytë.

“Në ndryshim nga ndeshja e parë skuadra është rritur falë rritjes së secilit prej lojtarëve të mi. Do të diskutohej vendi i parë nëse do të kishim shënuar në fund me Barçën? Po, por tashmë s’ka rëndësi. Është e vërtetë që kjo ndeshje nuk vlen për renditjen, por do të jetë shumë e bukur, ndaj një prej skuadrave më të forta në Europë dhe në një stadium fantastik.

Duam të bëjmë një ndeshje serioze, duke e ditur çfarë vështirësish na presin përballë një ekip me një organikë shumë të pasur”, e nisi fjalën e tij trajneri, duke u fokusuar më pas te Lukaku, formacioni dhe ndikimi i sfidës së ardhshme me Juven.

LUKAKU DHE BROZOVIÇ- “Lukaku ka pasur një problem që të shtunën dhe duhet të pushojë disa ditë, për t’u vlerësuar përsëri më vonë. Ishte një ndalesë që nuk na duhej, do të ishte një ndihmë e madhe në këtë periudhë dhe shpresojmë të rikthehet para pauzës. D’Ambrozio do të rikthehet në janar, kurse Brozoviçin shpresoj ta kem në dispozicion për të dielën ndaj Juves”.

FORMACIONI – “E dimë që na pret ndeshja me Juven, do të bëj disa ndryshime nesër (sot), por jo shumë. Skuadra po më jep përgjigje të shkëlqyera. Sulmi? Korrea dhe Xheko janë mirë, por kemi edhe të rinj të talentuar. Në mesfushë Asllani po rritet shumë dhe po më vendos në vështirësi. Mund të jetë kjo ndeshja e duhur për të, e ka lënë pas krahëve episodin në Barcelonë dhe mund të luajë edhe si regjisor ose më i avancuar”.