Ish-mbrojtësi i Vl laznisë në vitet 2000, Edmond Doçi, e shikon ndeshjen ndaj Partizanit si një derbi të kampionatit, që nuk ka favoritë. Sipas tij, kuqeblutë luajnë më mirë në Shkodër dhe shanset për një fitore janë të mëdha. Në intervistën për “Panorama Sport”, 42-vjeçari i suksesshëm si trajner në akademinë Vllaznia, theksoi se Partizani ka një skuadër më të mirë se sezoni i kaluar. Ai shpreson që kuqeblutë të vijojnë me të njëjtën grintë dhe dëshirë që kanë shfaqur. Edmond, janë luajtur dy javë kampionat.


Si ju është dukur starti i Vllaznisë me katër pikë?

Do ta quaja një fillim i mirë i kampionatit për Vllazninë. Skuadra ka ndryshime nga sezoni i kaluar dhe këtë e shikoj më shumë në aspektin e dëshirës dhe përgatitjes fizike të futbollistëve. Pas fitores me Kukësin, Vllaznia u ndal nga Erzeni.


Mos ndoshta ishte një ndeshje që duhet të merrte më tepër?

Normalisht, duke parë vështirësitë që kishte Erzeni në fillimin e kampionatit, ku ekipi është formuar me vonesë, Vllaznia duhet ta kishte menaxhuar më mirë atë ndeshje. Nuk duhej ta kërkonte fitoren me nervozizëm, por me finesë dhe me cilësi, sepse ndeshja tregoi që Vllaznia ishte më lart se Erzeni.


Të enjten ndaj Partizanit. Mund ta quajmë si prova e së vërtetës?

Të enjten është një ndeshje e vështirë, por Vllaznia do të jetë një kockë e fortë për të gjitha ekipet e Superligës këtë sezon. Sido që të jetë kontingjenti i të dyja ekipeve, mbetet një derbi dhe nuk dihet kush është favorit.


Sa shanse i jepni Vllaznisë për të fituar këtë përballje?

Shanset për të fituar ndeshjen janë të mëdha nga Vllaznia, sepse së pari luan në fushën e saj dhe shprehet më mirë aty. Me aq sa kam parë unë, Partizani ka një ekip më të mirë se ai i sezonit të kaluar, por shpresoj që të vazhdojnë rezultatet pozitive për Vllazninë, sepse këto vitet e fundit kemi qenë si një mace e zezë për të kuqtë.

Çfarë do t’i sugjeronit trajnerit Memelli për të rregulluar në skuadër duke iu referuar paraqitjeve të ekipit në dy ndeshjet e para?

Nuk është se mund t’i sugjeroj ndonjë gjë, sepse është ai vetë që e njeh gjendjen e lojtarëve më mirë se kushdo tjetër, por do t’i them që të vazhdojnë me grintë dhe të luajnë futboll të bukur, për të treguar vlerat e tyre para publikut shkodran.


E shikoni Vllazninë te katër skuadrat më të mira këtë sezon?

Është herët për të folur, por Vllaznia mendoj që do ta arrijë objektivin, edhe pse shikoj 5 ekipe që luftojnë fort për ato katër vende.

Si ju duket formula e këtij sezoni për ekipin që shpallet kampion?

Është një formulë e re, e paprovuar ndonjëherë, por kur ka gjëra që janë risi në futboll, jam optimist për Vllazninë, pasi e ka shkruar emrin e para në këtë sport në Shqipëri. Shpresoj që këtë vit të jetë Vllaznia ajo që ta mbyllë me sukses këtë kampionat.