Ngushtimi i distancës me ndjekësit i ka kushtuar jo pak Vllaznisë e cila duket se tashmë është më shumë në presion. I gjithë ambjenti sportiv flet për një formë të mirë të Partizanit, Laçit e Teutës, por në Shkodër mendojnë se kuqeblutë duhet t’i vlerësojnë siç duhet takimet e ardhshme. Këtë ide ka ish- futbollisti i kësaj skuadre, Edmond Doçi që në emisionin “Star Sport” është shprehur:
“U bënë disa ndeshje që Vllaznia është duke luajtur nën presion, por ndoshta i duhet të fillojë të ndryshojë sepse nuk është e thënë që të dalësh kampion me diferencë të madhe pikësh me kundërshtarët. Duhet ecur me llogari.
Duhet që të rikthehet tek lojërat e mëparshme dhe unë shpresoj që ekipi të jetë duke kaluar ato oshilacione që ekipet e tjera i kanë kaluar më parë dhe dëshira është që ajo të rikthehet sërish aty ku duhet dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Duke u ndalur tek ndeshja e fundit e Vllaznisë, ajo ndaj Skënderbeut, mendoj se ky i fundit e kishte vlerësuar maksimalisht këtë përballje. E kishte studiuar shumë mirë ekipin shkodran dhe duke qenë se i nevojiten pikët, korçarët bënë një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë. Ndërkohë Vllaznia çaloi në disa momente, por ndërkohë në pjesën e dytë, duhej të kishte shënuar edhe golin e fitores, por nuk ia doli.
Doçi ndërkohë është ndalur edhe tek ndeshja e rradhës, ajo që Vllaznia do të zhvillojë ditën e shtunë në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Tiranës, për të cilën shprehet:
“Shpresoj që me Tiranën të bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të dimë se gjithmonë këto dy skuadra, pavarësisht pozicionimit në renditje kanë dhuruar ndeshje shumë të bukura. Besoj se kështu do të ndodhë sërish dhe pavarësisht se bardheblutë për momentin nuk janë mirë në renditje, Vllaznia nuk duhet t’i besojë kësaj. Duhet ta vlerësojë maksimalisht këtë kundërshtar sepse vetëm kështu, mund t’ia dalë të fitojë ndaj tij”./SHKODRA-SPORT.COM/