Me Vllazninë ka të vetmin titull kampion në karrierën e tij, ndërsa te Partizani arriti kulmin dhe kaloi një nga periudhat më të bukura të karrierës. Fantazisti elbasanas, Dorian Bylykbashi, e ka zemrën të “ndarë më dysh” në këtë sfidë, por në një intervistë për “Panorama Sport”, shpreson të fitojë Partizani për ta bërë më të bukur kampionatin.
Sipas tij, Vllaznia e këtij sezoni është bukuria e këtij sezoni dhe kjo, më së shumti, për meritë të trajnerit Brdariç, por Partizani ka urinë dhe dëshirën për të rihapur kampionatin. Për të kjo ndeshje mbyllet në shifrat 2 me 1 për të kuqtë, të cilët i quan dashuri.
Bylykbashi, do ta shihni nesër ndeshjen?
Po, po, patjetër. Për më tepër është në Elbasan dhe një ndeshje midis dy skuadrave ku kam kaluar momente shumë të bukura.
Për cilën do të bëni tifo?
Direkt e nisët me pyetje të vështira (qesh). Përveç Elbasanit, qytetit tim, Vllaznia dhe Partizani janë dy skuadrat e vetme në futbollin shqiptar me të cilat kam luajtur dhe kam një ndjesi të veçantë për to. Shpresoj në radhë të parë të shohim një ndeshje të bukur e me gola, pastaj të fitojë më i miri. Por, për bukurinë e kampionatit duhet të fitojë Partizani.
Si përfundon kjo përballje?
Unë më lart e thashë që duhet të fitojë Partizani për ta bërë më të bukur kampionatin dhe shpresoj për një ndeshje të bukur me gola. Them se fiton Partizani 2 me 1.
Sa vendimtare është kjo ndeshje?
Ka rëndësinë e vet për të dyja ekipet, në fakt. Nëse Vllaznia fiton, shkëputet me 12 pikë dhe moralisht rritet shumë, por sërish nuk do ta konsideroja kampionat të mbyllur, sepse ka kohë. E shoh ndeshje vendimtare, por deri në njëfarë pike.
Për fat të keq, ky takim do të luhet pa tifozë…
Shumë për fat të keq, por në situatën ku jemi duhet të respektojmë çdo vendim për shkak të COVID-it, edhe pse 40%-50% e bukurisë humbet nga mosprania e tyre. Meqenëse më pyetët për tifozët, kam një përshëndetje të veçantë për një tifoz të Vllaznisë, Fatmir Dautovi, i cili si atëherë edhe tani është një tifoz i zjarrtë i kësaj skuadre, me të cilin ruaj ende miqësinë.
Avantazhet e Vllaznisë dhe Partizanit në këtë ndeshje cilat janë?
Vllaznia ka luksin që është nëntë pikë para dhe ky është një avantazh jo i vogël. Edhe një barazim mund t’i bëjë punë se e mban të pandryshuar diferencën me Partizanin. Ndërsa te Partizani avantazh do të shihja ndoshta faktin që luan në Elbasan, që është bërë si shtëpia e tyre, si edhe urinë për pikë. Edhe afrimet e merkatos mund të jenë një armë plus për ta.
Meqë jemi te merkatoja, Partizani ka afruar Hasanin. Si ju duket?
Hasani është një vlerë e shtuar jo vetëm për Partizanin, por edhe për kampionatin shqiptar. Sa më shumë lojtarë të këtij niveli të vijnë në Shqipëri, aq më i bukur bëhet kampionati.
Titulli i fundit i Vllaznisë ishte para 20 vitesh me ju në fushë. A është ky viti i duhur për ta rikthyer në Shkodër?
Duke parë atë që po bën Vllaznia këtë sezon, ku me meritë të plotë është në krye të klasifikimit, them se është viti i duhur. Me të vërtetë, ndoshta nuk kanë yje në skuadër, por janë lojtarë të një niveli, të cilët zbatojnë mirë detyrat e trajnerit dhe janë punëtorë. Një meritë të veçantë për këtë Vllazni ka pa asnjë dyshim Brdariç.
Si po ju duket kampionati, cila skuadër ju ka befasuar?
Për mirë më ka befasuar Vllaznia, sepse nuk është pak të jesh në krye dhe i shkëputur. Shkodranët janë edhe bukuria e kampionatit këtë vit.
Mund të na i përshkruani me një fjalë Vllazninë dhe Partizanin?
(Mendohet gjatë) Vllazninë e kam në zemër, ndërsa Partizani është dashuri.