Pogradeci “qan” barazimin me Delvinën. Samuel Nikaj duket në një lloj formë i dorëzuar pas kësaj ndalese. E pranon që kjo ndalesë i dëmtoi në luftën për titull dhe tani janë një hap pas Elbasanit.

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” trajneri thotë çfarë ndodhi në Gjirokastër, ku sipas tij vetëm futboll nuk pati. Pogradeci u ndal në barazim 0-0 nga Delvina.

Çfarë ndodhi në stadiumin “Gjirokastra”?

Patëm shumë faktorë kundër me Delvinën. Në atë sfidë vetëm për sport nuk mund të flitej. Por, nuk ia vlen ta diskutosh më. Tani duhet të shikojmë përpara. Ky barazim mendoj se na penalizoi në luftën për titull deri në ndeshjen e fundit. Megjithatë, më mirë që ndodhi tani sesa në fund pasi na jep kohë të përgatitemi për ndeshjet e “play off”-it.

Hap fals?

E mendoj hap fals, por nuk fajësoj aspak lojtarët.


Faktorët e barazimit?

E thashë më lart, që nuk merrem më me asnjë lloj faktori. Thjesht do të shohim përpara dhe do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e “play off”-it.

Mos ndoshta ndikoi euforia në barazim?

Unë kam një ekip me moshë mesatare 30 vjeç dhe nuk i kap lehtë euforia, kështu që nuk ka ndikuar aspak kjo pjesë.

Gjykimi?

Nuk flas për nivel gjykimi, pasi nuk jam kompetent dhe as nuk dua t’i komentoj gjyqtarët.

Mendoni se luajti Delvina në favor të Elbasanit?

Unë nuk e di se për kë bën tifozllëk Delvina!

Shpresoni në ndonjë ndalesë të Elbasanit tani?

Për ta sqaruar një herë e mirë, Elbasani është ekip me traditë, që ka nxjerrë super lojtarë, ka fituar Superioren dhe ka pasur raste kur luftonin kundër Tiranës. Unë kam qenë një nga ata që kam bërë tifozllëk për Elbasanin. Madje, kam shumë miq të mire, ish-futbollistë me emër si Dosti, Jakupi, Bilali, Duro e Dalipi. Por, jemi në një garë dhe unë mbroj interesat e klubit ku punoj. Deri këtë javë rivalizuam dhëmb për dhëmb, pas kësaj jave mendoj që janë një hap para nesh dhe kam pak shpresa që mund t’i arrijmë. Futboll është, ka edhe surpriza të këndshme dhe të pakëndshme.