Barazimi ndaj Vllaznisë asnjëherë nuk mund të quhet një rezultat negativ, por për momentin e keq që po kalon Skënderbeu dhe pozicionin e vështirë që ka në renditje kjo pikë e marrë ka qenë e pavlerë.

Të njëjtin mendim ka edhe sulmuesi shkodran Ardit Nikaj, i cili përballë ekipit të zemrës shënoi golin e parë në Kategorinë Superiore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Nikaj tregon gjithçka rreth kësaj ndeshjeje, që nga momenti kur iu komunikua se do të ishte titullar, deri te goli i shënuar në ndeshjen e fundit.

Për Nikajn, është mëkat shpërdorimi i kaq shumë rasteve dhe për pasojë edhe gjendja e ekipit është delikate.

Të mërzitur që mundët të merrnit vetëm një pikë ndaj shkodranëve? Normalisht që kur luan ndaj Vllaznisë, emocionet janë të mëdha dhe ndeshja mbetet gjithnjë e vështirë. Të barazosh me Vllazninë në këto kushte nuk është një dramë, por për momentin që ne jemi, fitorja na bënte më shumë punë. Ka qenë një barazim që nuk i hyn në punë askujt, as ne e as Vllaznisë. Por, tani ajo iku dhe nuk kemi pse të kthejmë kokën pas. Do të duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Siç dihet, Vllaznia është ekipi juaj i zemrës. Ky është edhe shkaku që nuk festuat kur shënuat? Të them të drejtën, kisha kohë që e prisja golin tim të parë në Kategorinë Superiore, dhe me padurim madje. Ndodhi ndaj Vllaznisë dhe për respekt të së kaluarës sime, por edhe për qytetin tim të lindjes, nuk festova. Është vendi im, qyteti im dhe ekipi ku jam rritur si futbollist. Por, të them të drejtën, e prisnim ndryshe ndeshjen.

Çfarë doni të thoni me këtë? E kishim përgatitur mjaft mirë dhe bëmë një ndeshje të madhe. Kaluam në avantazh dhe kishim mundësinë që ta mbyllnim ndeshjen në pjesën e parë. Humbëm shumë raste dhe shpërdoruam mundësitë që na u dhanë. Vllaznia nuk të fal kur ti shpërdoron kaq shumë dhe shkoi siç të gjithë e pamë.

Goli i parë për ju. Do t’ju shijonte ndryshe nëse do t’ia shënonit një tjetër ekipi? Nuk di ta them me siguri. Do të më shijonte më shumë nëse do të ishte një gol fitoreje. Edhe pse i shënova Vllaznisë, unë u dhashë respektin që meritojnë dhe jam i qetë në këtë pjesë.

Çfarë menduat kur morët vesh se do të ishit titullar përballë Vllaznisë? Nuk e di, emocion të madh. Thuajse nuk kam fjetur gjithë natën dhe isha i emocionuar. Doja të ishim ne që të përcaktonim ndeshjen. Deri diku ia dolëm, por jo plotësisht.

Le të ndalemi te shpërdorimet. Sulmuesit nuk po tregohen efikasë për të mbyllur një ndeshje. Çfarë po ndodh? Normalisht që në kushte të tilla të vjen keq kur sheh se sa pikë na kanë ikur nga shpërdorimet që kemi bërë ne sulmuesit. Jemi për atë punë dhe nuk duhet të na trembë goli. I ndodhi Mensah, më ka ndodhur dhe mua dhe është situatë vërtet e sikletshme. Duhet që të jemi shumë herë më të përqendruar dhe të shfrytëzojmë e të vlerësojmë më shumë këto raste që na dalin.

Sa e vështirë është për Skënderbeun tani? Më vjen keq që nuk morëm maksimumin, pasi luftuam shumë për ta bërë një gjë të tillë. Donim të merrnim tri pikët dhe të ishim më të qetë. Na presin edhe 14 finale të tjera ku do të japim 200% nga vetja jonë për t’ia dalë të largohemi nga fundi./PANORAMA-SPORT/