Ditmar Bicaj sheh kthesën kundër Dinamos. As që e mendon një tjetër gabim dhe sidomos në shtëpi, ndaj paralajmëron vetëm fitoren të hënën. Është më i bindur se kurrë për ngjitjen, ndonëse prej javësh ka nisur një “luftë” treshe për dy vende në elitë.

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon se çfarë ndodhi në të vërtetë në Pukë. Pranon që Flamurtarit i bëri dëm vetëkënaqësia, pasi e mori pak lehtë ndeshjen me Tërbunin… Lezhjani shpjegon edhe një moment që është parë duke debatuar me drejtorin e klubit mik, si edhe rrëmujën që u krijua.


Flamurtari u mund në Pukë dhe humbi kreun, çfarë ndodhi vërtet në atë ndeshje?

Në ndeshjen e luajtur në “Ismail Xhemali”, ne nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Edhe pse terreni ishte i mirë, nuk ia dolëm dot. Kundërshtari bëri një ndeshje shumë të fortë, por ndoshta e kishim marrë pak lehtë.

Vinim pas katër fitoreve dhe ndoshta dashur pa dashur ka pasur edhe vetëkënaqësi. Nuk funksionuam sikundër kemi bërë në gjithë ndeshjet e tjera në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Nuk ka qenë një ditë e mirë për ne, por e rëndësishme është që të reagojmë në vijim.

Jeni parë gjatë ndeshjes që të diskutoni me drejtorin e Tërbunit, çfarë i thatë?

Ishte një moment konflikti në fushë. Pak a shumë ishte rrëmujë. Po flisnim thjeshtë për të shuar gjakrat, asgjë tjetër. Unë kam respekt për drejtorin Gjoni. Ka qenë një ndeshje e luftuar nga të dyja palët. Këto momente gjaknxehtësie janë normale.

Administratori është i pakënaqur për humbjen dhe ka paralajmëruar gjoba. Ju ka komunikuar gjë?

Presidenti ka të drejtë, sepse ka bërë një investim shumë të madh këtë sezon dhe normalisht pret rezultatet. Ishim të parët dhe e humbëm kryesimin e tabelës. Megjithatë, këto momente duhen kaluar me qetësi brenda familjes.


Këtë javë prisni Dinamon, çfarë prisni nga ky 90- minutësh?

Me Dinamon do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Megjithatë e them me bindje që Flamurtari me ekipet rivale jep gjithmonë më të mirën. Jam besimplotë se do të jemi ne ekipi që do dalë fitimtar të hënën në Vlorë.


A vendoset në rrezik Superiorja?

Nuk e diskutojmë Superioren, sepse kemi ekipin më të mirë që dhurojmë futboll shumë të bukur dhe jemi ekip i mirorganizuar në të gjitha aspektet. Të hënën do të kemi edhe mbështetjen e tifozërisë vlonjate, që do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit. Do të shihni një Flamurtar bindës në fushë.

U bëtë disa javë që nuk po luani, çfarë po ndodh me ju?

Kam dy javë që i jam bashkuar ekipit, por ende nuk jam në 100% të formës sime. Kalova një dëmtim në tendinë, që ishte shumë i vështirë.


Kur do të jeni gati për të marrë minuta?

Shpresoj që të kontribuoj për ekipin në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit.