Shkruar nga Endri ÇINARI
Në radhët e Vllaznisë, vëmendja në ditët e fundit është përqendruar edhe te repartit ofensiv, aty ku dy afrimet e merkatos verore, Tounkara dhe Perez, duket se po japin sinjale gjithnjë e më pozitive. Në seancat e fundit stërvitore, të dy sulmuesit janë shfaqur në një gjendje të mirë dhe me një përfshirje më të madhe në lojën e skuadrës.
Pas një periudhe të parë ambientimi, tashmë duket se Tounkara dhe Perez kanë nisur të gjejnë më mirë vendin e tyre në grup. Dy lojtarët e ardhur këtë verë po krijojnë gradualisht lidhjet e duhura me shokët e skuadrës dhe po shfaqin gatishmëri për të marrë më shumë përgjegjësi në repartin ofensiv.
Një formë e tillë është padyshim një lajm pozitiv për trajnerin Edi Martini dhe stafin e tij. Vllaznia ka nevojë për më shumë alternativa dhe efikasitet në sulm, ndërsa rritja e dy sulmuesve mund t’i japë trajnerit shkodran mundësi të tjera për zgjedhjet e tij në formacion.
Megjithatë, ajo që është parë në fushën stërvitore duhet tashmë të reflektohet edhe në ndeshjet zyrtare. Forma pozitive në përgatitje merr një vlerë tjetër vetëm nëse shoqërohet me paraqitje konkrete dhe kontribut në momentet kur skuadra ka më shumë nevojë.
Në këtë aspekt, Tounkara dhe Perez pritet të rivalizojnë fort për një fanellë titullari në radhët e kuqebluve. Konkurrenca mes tyre mund të jetë një tjetër armë në duart e Martinit, i cili do të kërkojë nga të dy jo vetëm gola, por edhe lëvizshmëri, intensitet dhe një kontribut të vazhdueshëm për ekipin.
Tashmë mbetet për t’u parë se kush prej tyre do të fitojë besimin për të nisur nga minuta e parë. Por sinjalet e fundit janë pozitive dhe, nëse Tounkara e Perez do të arrijnë të konfirmojnë në fushën e lojës atë që po tregojnë në stërvitje, Vllaznia mund të ketë fituar dy alternativa të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


