Zyrtarisht Bylisi është në krizë. Skuadra e trajnerit Dovedan nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje në këtë vit dhe ka dështuar ta bëjë këtë edhe ditën e sotme kundër Laçit. Skuadra e Cungut ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 dhe të krijojë një shkëputje ndaj ballshiotëve.

Pas ndeshjes trajneri i Bylisit, Dovedan për “Super Sport” tregohet shumë i zhgënjyer pas ndeshjes, teksa fajin më të madh për humbjen e peshon në gabimin e Hidit te goli i dytë. Në ndeshjen tjetër do të fusë portierin rezervë.

“Normalisht më vjen keq dhe nuk mund ta fitojmë takimin në këtë mënyrë që marrim golat nga një portier, që dihet kush është. Nuk kam çfarë të bëj më shumë. Ndoshta në ndeshjen tjetër do i jap shansin portierit të dytë, duke parë se dënohemi në disa ndeshje nga portieri.

Kemi qenë një ekip, që ekipet e tjera e kishin shumë të vështirë të na shënonin. Hidi është një portier shumë e mirë por nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur me të”, u shpreh trajneri Dovedan.

Në lidhje me formën e dobët të portierit është shprehur edhe shoku i ngushtë i tij, Ditmar Bicaj. Mbrojtësi mendon se Hidi do të kthehet në formën e tij më të mirë. Ai shton me shaka se mund ta kenë “marrë më sysh”. “Unë me Islin rri gjithë ditën 24 në 24 dhe ndaj të njëjtën shtëpi me të.

Deri në dy apo tre ndeshje më parë ai ishte më i miri dhe mesa duket e kanë ‘marrë më sysh’. Pas ndeshjes na ka kërkuar falje të gjithëve dhe kam besim se do të kthehet më i fortë se ç’ka qenë”, u shpreh Bicaj. /vipsport/