Skuadrat gjermane kanë nisur stërvitjen dhe presin me padurim që të rifillojë kampionati. Ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve për shkak të koronavirusit. Një duel në një stadium bosh nuk dhuron emocione, por M’Gladbach e ka gjetur një zgjidhje.

Tifozët e klubit të njohur gjerman kanë vendosur të kopjojnë idenë e bjellorusëve të Dinamo Brest, skuadër ku aktivizohet Elis Bakaj. Ultrasit e M’Gladbach kanë propozuar instalimin e kartonëve me fytyrat e tyre në stolat e stadiumit, për të ndihmuar sadopak klubin me shitjen e biletave.

Çdo tifoz do paguajë nga 19 euro për vendet ku uleshin zakonisht për të ndjekur nga afër skuadrën e zemrës, ide që ka marrë miratimin e lojtarëve. “Në fillim isha skeptik, nuk e dija nëse do të kishte efektin e dëshiruar. Por duket mjaft mirë, është shumë afër realitetit”, deklaron për Kicker, Patrick Herrman. /abcnews.al