Hansi Flik e çoi deri në fund misionin e tij për të fituar kampionatin e dytë radhazi me Bajernin e Mynihut. 56-vjeçari ishte të shtunën për herë të fundit në drejtimin e skuadrës gjermane. Ai do të largohet dhe me shumë mundësi do të jetë trajneri i ri i kombëtares pas kampionatit Europian. Pas ndeshjes me Augsburgun, Flik pranoi se kjo skuadër do t’i mungonte shumë.

“Këta djem, ky klub, do të më mungojnë shumë. Për mua ishte një nder i madh që isha pjesë e këtyre sukseseve. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që kam shkruar emrin në librat e historisë. Në pjesën e parë bëmë një ndeshje perfekte duke shënuar katër gola dhe në fund, erdhi edhe goli i Levës që ishte qershia mbi tortë e një sezoni të jashtëzakonshëm”, tha Flik.

PËR LEVANDOVSKIN – “Atij iu desh shumë për të shënuar golin më të rëndësishëm në karrierën e tij. Për një moment mendova që nuk do t’ia dilte. I thashë ndihmësit tim që nuk ka më kohë. Mirëpo, Leva tregoi se është një bomber dhe që shënon edhe atëherë kur gjithçka duket se ka mbaruar, por mendoj që është meritë edhe e skuadrës”.

E ARDHMJA – “Për momentin do të festojmë këtë titull dhe më pas do të marr pushimet. Dua të kaloj kohë me familjen dhe sigurisht që të ardhmen time do ta mësoni shumë shpejt, por për momentin nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk është momenti dhe koha e duhur. Jemi duke festuar kampionatin”.

PËR KOHËN TE BAJERNI – “Ishin 18 muaj plot emocion dhe gëzime. Ka patur edhe momente të vështira, por së bashku ia arritëm të kalonim çdo pengesë. Jam i bindur që ky grup lojtarësh do të vazhdojë të fitojë, jam gjithashtu i sigurt që Nagelsman do të bëjë një punë të mirë në Mynih. Ai i ka të gjitha mundësitë për të fituar”.