Ndeshja e parë shtëpiake e skuadrës U-21 të Egnatias ndaj Apolonisë mori shumë vëmendje mesditën e djeshme në aneksin stërvitor me bar sintetik të Lekajt, që është nën juridiksionin e Bashkisë Rrogozhinë. Aty ishin të gjithë drejtuesit e stafit teknik të Egnatias, ndërsa stërvitja e ekipit të parë u zhvillua pas ndeshjes.

Dje për U-21 Egnatia erdhi fitorja e parë me shifrat e çmendura 5-4 ndaj fierakëve. Rezultati shkoi në 5-0 për Egnatian, por më pas Apolonia realizoi katër herë. Golat për vendësit u shënuan nga mesfushori fierak Skerdilajd Levendi, peqinasi Bledar Lila që në të 36-ën, që realizoi nga pika e 11-metërshit, ndërsa dyfishoi më pas në 45′. Në pjesën e dytë shënoi dy herë Henri Zhoel dhe pesëfishoi Flavio Meçja. Për Apoloninë shënuan Bala, Baba, Dimo dhe Kananaj.

Shtatë lojtarë që janë kontigjent i skuadrës së të rriturve të Egnatias u bënë dje pjesë e U-21. Bledar Lila, Erald Hyseni, Skerdialid Levendi, Donald Mëllugja, Geri Selita, Flavio Mecja dhe Henri Zhoel, ia thjeshtësuan suksesin e bukur rrogozhinasve përballë homologëve të Apolonisë.

Tek Egnatia ndjehen të gjithë mirë tashmë që po vënë edhe një “themel” më të shëndetshëm dhe tek ekipet e grupmoshave më të reja. Një punë që në 3-4 vitet e fundit është përmirësuar dukshëm nëpërmjet një elementi të rëndësishëm, që është bashkëpunimi e koordinimi konkret mes trajnerëve sipas hierarkisë.

Vëmendja te skuadra U-21 tashmë duhet parë si një fakt i kryer mbi atë shkëmbim përvoje që lojtarët e rinj e marrin “ekstra” nga futbollistët me më shumë përvojë. Ndërsa për të pasur një perspektivë më të mirë, drejtuesit e Egnatias, e kanë shtrirë këtë integrim sportiv edhe në kohë, edhe në emra konkretë lojtarësh. Ndeshja e djeshme i vlejti jo pak edhe trajnerit Edlir Tetova, pasi vëzhgoi në kushte loje jo pak, por 7 lojtarë, të cilët mund të luajnë edhe në formacion për Egnatian që në ndeshjen e radhës me Kastriotin.