Greqia u bë në qershor skuadra e parë që siguronte play-off të Euro 2024 falë Ligës së Kombeve teksa ia doli që të krijonte një distancë të paarritshme nga Kosova në Grupin 2 të Ligës C.

Të njëjtën gjë ka bërë sot edhe Kazakistani, i cili ka siguruar vendin e parë në Grupin 3 të kësaj lige dhe minimalisht pjesëmarrjen në play-off të Europianit të ardhshëm.

Skuadra kazake luante në shtëpi ndaj Bjellorusisë një sfidë vendimtare në grupin ku bëjnë pjesë edhe Sllovakia dhe Azerbajxhani. Golat e Gabishev dhe Zajnutdinov në secilën pjesë të sfidës bënë të pavlefshëm golin e Savitsk në fundin e pjesës së parë, duke siguruar fitoren 2-1 dhe ngjitur Kazakistanin në kuotën e 13 pikëve pas 5 ndeshjesh, i pakapshëm nga ndjekësit.

Kështu, skuadra kazake ka siguruar ngjitjen në Ligën B në edicionin e ardhshëm, ndërsa mund të përgatitet e qetë për kualifikueset e Europianit, duke pasur sigurinë e pjesëmarrjes në sfidat play-off të tij.