Drejtori sportiv i klubit të futbollit Vllaznia, Matko Djarmati, ka qenë i futur dje në emisionin “Euromania” në “News 24”, ku përveç diskutimit për kampionatin Europian, ka hedhur dritë edhe mbi lëvizjet e fundit te skuadra shkodrane. Drejtori Djarmati ka sqaruar arsyen pse mesfushori vlonjat Bruno Telushi nuk arriti që të jetë pjesë e Vllaznisë.
Sipas tij, problemet familjare bënë që mesfushori të mos jetë pjesë e kuqbluve për këtë sezon. Djarmati pohon se gjatë bisedimeve u bë e mundur që Vllaznia t’ia plotësonte të gjitha kushtet, por në fund vlonjati u tërhoq dhe sipas kroatit, është mirë që Telushi ta tregojë vetë arsyen.
“Ne kemi diskutuar gjatë me Bruno Telushin. Vllaznia pranoi që t’i plotësojë të gjitha kushtet lojtarit, pra, çdo gjë që ai ka kërkuar, por në fund ai ka vendosur të mos vijë në Shkodër për arsyen e tij. Është më mirë ta thotë vetë lojtari.
Ne si klub i kemi plotësuar çdo kusht Telushit. Ai na ka thënë se për arsye familjare nuk do të vijë në Shkodër. Kjo është vërteta e bisedimeve me mesfushorin vlonjat”, u shpreh Djarmati.