Dy ditë më parë trajneri i Vllaznisë në boks Zef Gjoni u shpreh se ekipi i tij këtë vit e ka të vështirë ta fitojë titullin kampion dhe do të mjaftohet edhe me vendin e dytë. Ky dorëzim i trajnerit Gjoni sipas tij vjen pasi personat përgjegjës që mbulojnë sportin në bashkinë Shkodër dhe “Sport Klub Vllaznia” nuk kanë asnjë interes për sportin e boksit gjë e cila ka bërë që këtë vit Vllaznia të mos luftojë për titullin kampion siç ka ndodhur çdo vit

Një ditë më pas drejtori i “Sport Klub Vllaznia” Mark Kroqi i ka dhënë përgjigje trajnerit Gjoni duke thënë se është e pamundur të ketë një rritje të financave sepse buxheti miratohet në fund të vitit dhe nuk mund të ndryshohet.

“Une kam shume respekt per kontributin e jashtezakonshem te zotit Gjoni, per punen e madhe dhe sukseset qe ai dhe gjithe pjestaret e tjere te ekipit e boksit te Vllaznise kane arritur gjate gjithe ketyre viteve dhe qe vazhdojne te punojne me shume pasion. Une nuk kam shume dijeni ne lidhje me pretendimet e fundit.

Sportklub Vllaznia siç e dine te gjithe punon ne baze te nje projekt- buxheti te miratuar ne fillim te vitit nga Bashkia Shkoder, ne baze te te cilit eshte bere edhe ndarja e fondeve sipas çdo sporti. Fondi i boksit nuk di te kete patur ndonje ndryshim dhe si rrjedhoje, nuk besoj se qendrojne fjalet per mosmbeshtetje.

A duhen me shume fonde? Sigurisht qe gjithmone ka kerkesa per me shume, por kjo nuk eshte ne doren tone. Ajo qe mund te bejme eshte t’i kerkojme Bashkise shtese fondi dhe asgje me shume”- ka deklaruar drejtori Kroqi.

Vllaznia në boks është fituese e 22 titujve kampion dhe ekipi absolut në këto 30 vite por këtë radhë, kuqeblutë janë dorëzuar pa nisur kampionati kombëtar për shkak të problemeve që kanë me financat dhe kërkesat për disa boksierë cilësor.