Elton Marini, drejtori sportiv i Partizanit, është shfaqur sot në konferencë për shtyp për të treguar edhe një herë se cila është strategjia që kanë vendosur të kuqtë për merkaton e janarit. Ai bëri të qartë se nuk do të kishte lëvizje të mëdha sa i përket emrave në dalje apo në hyrje.

“Mendoj se çështjen “Skuka” e kemi sqaruar edhe para se të mbyllej vitit i kaluar, por edhe në intervistën time të fundit para medias. Kemi vendosur si staf që Partizani nuk do të ketë dalje në merkato. E vetmja mënyrë që do të ketë dalje është që të na ofrojnë shifra të çmendura. Nëse dikush bën “çmenduri”, do respektojmë dëshirën e lojtarit se gjithmonë prevalon dëshira e tij, jo të gjithë tregjet marrin “po” nga lojtarët. E dyta, është presidenti ai që vendos.

Por e përsëris, që në mbledhjen e fundit që kemi diskutuar çështjen e merkatos në dalje, duke qenë se ne jemi në luftë për një objektiv madhor që është shumë i rëndësishëm për ne në këtë sezon, kemi vendosur të mos bëjmë dalje. Por e përsëris, për ” çmendurira” të dikujt që mund të ofrojë shifra të pamendura për tregun e të larta, ne do ta vlerësojmë si staf rast pas rasti.

Ofertat që kemi marrë në mënyrë verbale, nuk kemi pasur asnjë të çmendur. Ndaj flasim për shifra normale që nuk besoj se Partizani do t’i marrë në konsideratë.

Ne jemi munduar të balancojmë dy daljet me dy hyrje të tjera. Janë larguar Cvetanovski në sulm dhe Romero në mesfushë, i kemi zëvendësuar të dy këta lojtarë. Nesër apo pasnesër do të bëhen zyrtarizimet. Për shkak të respektit që kemi për ndeshjen e nesërme, nuk donim që të përzienim ndryshimet e reja me atë që jemi të fokusuar 100% për ditën e nesërme për Vllazninë.

Me trajnerin kemi konkorduar për grupin që kemi, jemi të kënaqur me të gjithë lojtarët, kanë besimin tonë total. I kemi dhënë rëndësi edhe elementëve të rinj, po vlerësojmë edhe produktet e akademisë. Por vlerësojmë edhe produktin tonë.

Emrat e mëdhenj? Në dijeninë time nuk ka ardhur as Bekim Balaj dhe asnjë emër tjetër që qarkullon në media. Lushkja? Regi Lushkjes i urojmë suksese për nënshkrimin me skuadrën e Tiranës, besoj që u përgjigja me këtë. Nuk mund të komentoj më një lojtar që është pjesë e një skuadre tjetër”, theksoi Marini para mediave.