Vllaznia “ngeci” në një barazim 1-1 në ndeshjen e rradhës ndaj Erzenit, në kuadër të javës së 11-të të Abissnet Superiore. Përpara kësaj sfide, drejtori i Vllaznisë, Elvis Plori, foli për MCN TV, ku u pyet për rrokadën e trajnerëve tek shkodranët. Plori ruan një rrespekt maksimal për të larguarin Memelli dhe shprehet se zëvendësuesi i tij, Qatip Osmani, do të vijojë të ketë objektivin e “Final Four”.

“Rrokada e trajnerëve? Në këtë prag ndeshje e dija se do vinte kjo pyetje. Më takon të flas. Nuk është një pozicion pozitiv kur ndahesh dhe largohesh. Eshtë e dhimbshme, pasi kemi punuar 5-muaj me Memellin dhe krijohet një fare lidhje shpirtërore dita-ditës.

Pse e hoqëm? Me largimin e trajnerit kërkohet zgjidhja. Në bisedimet me presidentin Xhaferi dhe Memellin u arrit në një pikë, duke menduar se Vllaznia do të bëjë më mirë me ndryshimin e trajnerit.

Objektivi i Qatip Osmanit? I kemi kërkuar profesor Qatipit që të vendosë qetësi në skuadër, ta qetësojë ekipin. Ai e ka ndjekur dhe e njeh futbollin shqiptar. Objektivi ynë është “Final Four”. Kemi patur dëmtime dhe skuadra nuk është e plotë. Megjithatë, profesor Qatipi është i bindur që skuadra ka kapacitete dhe ai beson se kjo skuadër ka kualitet. Rikthimi i të dëmtuarve besoj se do e ndihmojë shumë edhe profesor Qatipin dhe shpresoj që javë pas jave të formatohemi. Tre mbrojtës të krahut janë të lënduar dhe presim rikthimin e dy prej tyre.

Dy fjalë për Memellin? Unë kam rrespekt maksimal për të. Eshtë djalë punëtor dhe mendoj se do të arrijë shumë në fushën e trajningut. Ka qenë një ndarje e dhimbshme të themi të drejtën, por ai u sakrifikua për të mirën e skuadrës. Ai na ka mirëkuptuar dhe besoj se një ditë rrugët tona do të takohen përsëri”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori sportiv i Vllaznisë, Elvis Plori.