Dita e sotme përveçse ditë pune për mësuesin dhe drejtorin teknik të basketbollit të Vllaznisë, do të jetë edhe një ditë feste. Altin Halili i cili feston 45 vjetorin e lindjes së tij.
Ai është një emër shumë i njohur në basketbollin shkodran dhe shqiptar sepse ka qenë protagonist në fushën e lojës për vite me rradhë duke u aktivizuar me shumë sukses tek kuqeblutë.
Iu bashkua ekipit të të rriturve të Vllaznisë pas viteve ’90, duke luajtur me një plejadë sportistësh me shumë emër dhe padyshim që mori shumë prej tyre.
Si rrjedhojë nën drejtimin e Petrit Osmanit dhe duke luajtur përkrah Astrit Zaganjorit, Marin Shestanit, Bledar Gje♪5ajt, Altomen Çapalikut, Beniamin Idrizit etj, Halili arriti të shpallej kampion i Shqipërisë me Vllazninë në sezonet 1992-93, 1996-97, 1997-98 dhe 1999-2000. Pra në CV-në e tij ka 4 tituj kampionë dhe padyshim që zë një vend të nderuar në palmaresin e këtij ekipi.
Pas lënies së sportit, zgjodhi të punonte si trajner moshash, detyrë që e ushtron prej vitesh duke stërvitur elementë të ri, por ndërkohë prej pak muajsh i është besuar detyra e drejtorit teknik të Vllaznisë.
Bashkë me presidentin Alban Xhaferi kanë marrë përsipër një mision të vështirë, në rradhë të parë për nxjerrjen e skuadrës nga pozitat e vështira ku ndodhet dhe më pas, për të hartuar një projekt për rikthimin e Vllaznisë së madhe sërish.
Një projekt që do të nisë nga krijimi i ekipeve të Akademisë e për të vijuar më tej me të tjera detaje që do ta rikthejnë basketbollin shkodran sërish në ato nivele ku ka qenë në vitet ’90, atëherë kur vetë Altini dominonte në basketbollin shkodran bashkë me kolegët e tjerë të Vllaznisë.
Megjithatë sot për të është momenti për të festuar ditëlindjen. Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe padyshim edhe një realizim të projekteve që ka nisur për Vllazninë
© shkodrasport.com