Skuadra e futbollit, FC Vushtrria, në sezonin që e lam pas arriti që ta siguroi inkuadrimin në Superligën e Kosovës, pas tre viteve jashtë saj, shkruan Gazeta Metro.

Vushtrria arriti që të shpallet kampion në Ligën e Parë për sezonin 2018/19 dhe kështu do të jenë pjesë e Superligës për sezonin e ardhshëm. Por, pas kësaj klubi nuk mori lajme të mira. Fillimisht ishte kapiteni dhe njëri ndër futbollistët kryesor, Labinot Osmani, që u largua nga Vushtrria drejt Llapit. Ndërkaq, para pak ditëve nga klubi u largua edhe presidenti, Naser Imeri.

Pas gjendjes së krijuar në klub, duket se drejt largimit është edhe njeriu që udhëhoqi Vushtrrinë drejt rikthimit në Superligë, Samuel Nikaj. Në një prononcim për Gazetën METRO, trajneri shkodran ka theksuar se ka disa oferta nga skuadrat e mëdha dhe me emër në futbollin e Kosovës

“Në respekt për bashkëpunëtorët e mij, lojtarët dhe tifogrupin ‘Forca’, do e shoh edhe njëherë mundësinë e qëndrimit, edhe pse duket e vështirë duke patur parasysh gjendjen aktuale të klubit. Jam afër nënshkrimit me një emër të madh të futbollit të Kosovës, 90% është punë e kryer.” – tha fillimisht Nikaj për Gazeta Metro.

Më tej, Samuel Nikaj ka komentuar edhe largimin e presidentit, duke theksuar se në të mund të këtë ndikuar edhe mos-votimi i ligjit për sponzorizimin e klubeve.

“Largimi i presidentit ishte i papritur, ndoshta është ndikuar edhe nga ligji për sportin. Largimi i tij ndikoi negativisht në opinonin e qytetit. Tash është krijuar një pasiguri të lojtarët dhe tifozët. Kulmi ishte arritur me largimin e kapitenit dhe idhullit të tifozerisë, Labinot Osmanit.”

“Megjithatë jeta vazhdon, qyteti i Vushtrrisë ka potencial të majftueshëm për të vazhduar tutje. Nuk e besoj se do e këtë fatin e KEK’ut” – ka deklaruar Samuel Nikaj.

FC Vushtrria ende nuk ka zyrtarizuar asnjë përforcim për sezonin e ardhshëm, teksa janë në pritje edhe të të emërimit të presidentit të ri.