Vllaznia ka bërë shumë ndryshime nga sezoni i kaluar dhe përveç lojtarëve të rinj që mund të kenë marrë një shumë “kesh” pas firmosjes së kontratës, ka edhe futbollistë të cilët mund të kenë rroga pa marrë.
Megjithatë, nga sa mësohet në takimin e fundit që kanë zhvilluar drejtuesit me skuadrën, kanë premtuar shlyerjen e plotë të futbollistëve para fillimit të kampionatit.
Tashmë te Vllaznia, me sa duket, po ndihet më shumë kriza e startit të kampionatit, sesa ajo financiare, për të cilën është folur vazhdimisht në sezonet e fundit.
Marrëveshja 5-vjeçare që ka bërë bashkia me sponsorin Xhaferi natyrisht është e lidhur ngushtësisht edhe me financat, pra të mos ketë më vonesa burokratike, të cilat shpesh kanë shqetësuar ekipin.
Pak muaj më parë lojtarët bojkotuan disa ditë stërvitjen për këtë shkak, por duke filluar nga ky sezon drejtuesit kanë premtuar korrektesë maksimale.