Dritan Smajli, trajneri i Ilirisë, ka qenë i kënaqur për barazimin në fushën e Apolonisë. Por pas duelit të mbyllur pa gola, ai ka theksuar gjithashtu se ekipi i tij nuk u lejua të merrte më shumë nga gjyqtari i ndeshjes, Andi Koçi.
“Realisht e kishim përgatitur në mënyrën maksimale të mundshme për sa kohë që kishim në dispozicion se ndeshjet ishin në distancë kohe shumë afër. Ne erdhëm për të fituar ndeshjen, realisht me vjen keq që nuk e fituam dhe një nga arsyet kryesore sot ishte… nuk më pëlqen të flas për arbitrat, por nuk mund të rri se sot nuk na la të shfaqnim lojë. Shumë faulle inekzistente, kartonë. Ne kemi hyrë për t’i bërë nder kampionatit, për të qenë të drejtë me këdo. Arbitri nuk na lejoi të zhvillonim lojë. I kënaqem pikës, shpresoj që jemi të respektueshëm dhe mos na shohin që jemi kalimtarë. Ne do i bëjmë nder kampionatit dhe duhet të gëzohen të gjithë që jemi në Kategori të Parë, por realisht sot jam i mërzitur me arbitrimin.
Ne kishim përgatitur skuadrën sepse Apolonia lë linjat anësore pë të tentuar topin në thellës. Nuk funksionoi, ndoshta një ose dy herë, kurse pjesa e dytë ishte ndryshe se edhe ndërrimet që u bënë hynë në lojë. Por them që po ta shohësh ndeshjen, po shihja situatat në telefon, sa herë mundoheshim të niseshim apo fitonim duel, arbitri jepte 100% faull dhe nuk na lejonte të interpretonim lojën siç e kisha menduar.
Kampionati është shumë i fortë dhe ky është realitet, kundërshtarët janë të fortë, të gjithë kanë investuar në organikë. Nuk është se kemi vendosur objektiv o do dalim në Superiore o s’ka. Por ideja është që duhet të na respektojnë për këtë që po bëjmë, do të jemi të drejtë nga java e parë deri në fund, do jemi në garë dhe do bëjmë garë të ndershme e të drejtë.
Ne kemi një jetë në sport, Shqipëria është e vogël, çdo gjë ndodh. Ku ka zë nuk është pa gjë, siç thotë shprehja. Prandaj thashë që do jemi të drejtë deri në fund, do e shihni gjatë rrugës se sa skuadra do të jenë të shtrembra në garën e Kategorisë së Parë”, tha Smajli për RTSH pas përfundimit të ndeshjes.







