Lezhjani Dritan Smajli do të mbahet mend si një nga mbrojtësit e linjës së djathtë të veçantë në Shqipëri që anësoren e tyre rrallë e kalonte kush. Por, Smajli luante shumë mirë edhe në krahun e majtë për nevoja të skuadrës. U dallua jo pak në futbollin e luajtur, e krahas Besëlidhjes e Kastriotit në fillimet e karrierës, u aktivizua edhe me Tiranën, Kukësin e Vllazninë apo dhe Flamurtarin, në nivele të larta, me ekipet në periudha që kanë synuar trofe.

Smajli tashmë është trajner moshash, por drejton edhe skuadrën e Shënkollit në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, pasi ka kryer edhe kurset kualifikuese, ndërsa në prag të sfidës Tirana-Kukësi, Smajli ndalet dhe analizon gjendjen e të dyja ekipeve ku ka luajtur dhe ka kaluar kulmin e karrierës. Por, Smjali nuk mund të mos lërë pa përmendur Vllazninë e Shkodrën, “shtëpinë” e tij të dytë, por edhe Besëlidhjen ku mbylli karrierën…


– Smajli si e sheh klasiken Tirana-Kukësi, tashmë si specialist, por edhe si ish-lojtar i të dyja ekipeve?

Ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe synimet që ato kanë.Të dyja duan titullin dhe nuk u lejohet që të gabojnë për vetë synimin madhor që ato kanë. Do të jetë duel interesant, por mungesa e tifozëve nuk të jep atë entuziasmin me të cilin përcillen këto takime me skuadra niveli të Superiores…

-Por sipas teje kush fiton?

Të them të drejtën, unë shoh Tiranën më afër suksesit edhe për vetë përbërjen që kanë të dyja ekipet dhe “peshorja” ime anon pak më shumë nga bardheblutë në këtë sfidë.


– Ju keni luajtur edhe me Vllazninë, madje keni spikatur si kapiten, duke i shkuar edhe shumë afër titullit disa sezone. Po Vllaznia e këtij sezoni si ju duket?

Të them të drejtën, Vllaznia ka bërë dhe po bën mirë në Superiore, pavarësisht tri ndeshjeve të fundit. Por, është një situatë që nuk duhet bërë dramë, sepse i ndodh çdo ekipi një moment ngërçi dhe Vllaznia është duke e kaluar tani. Uroj me shpirt që të dal sa më shpejt nga kjo gjendje dhe duke qenë se i dua të mirën dhe në Shkodër më respektojnë shumë, kam vetëm një këshillë: të mos meren me skuadrat e tjera rivale, por të bëjnë veç llogaritë e tyre.

-Pse e jepni këtë këshillë në këtë moment, ndoshta tashmë jeni trajner dhe i kuptoni këto “hile” të zanatit?

Vllaznia nuk duhet të ndikohet nga fjalët e mira, sepse shumë i thonë edhe që t’i vënë në gjumë, mirëpo kjo mund të jetë si “vetëvrasje”, Vllaznia është Vllaznisë dhe duhet që të jetë dinjitoze siç i ka hije, i ka të gjithë komponentët këtë sezon që të dal kampione.

-Smajli, te Besëlidhja situata edhe këtë sezon duket e zymtë? Si ka mundësi që nuk janë ngjitur në elite, ndryshe nga shumë ekipe jo me historinë e skuadrës lezhjane?

Më vjën keq për Besëlidhjen që vazhdon të jetë në ujërat e Kategorisë së Parë, pasi është një ekip me shumë traditë dhe më vjen shumë keq edhe për presidentin Gjok Noka që ka investuar shumë. Ai po kontribuon për shumë vite dhe nuk po arrin që t’ia dalë…

-Kush janë faktorët që ndikojnë negativisht sipas jush?

Për mendimin tim, unë e shoh këtë si një papërgjegjshmëri e lojtarëve, por të jem realist sepse luajta dhe vet dhe e pash Besëlidhjen në krahasim me rivalët ka qenë e persekutuar edhe nga gjyqtarët. Por më shumë ngarkoj lojtarët me përgjegjësi, ndoshta duhet një reformim total. Unë si djal Lezhe mbaj mend që kur luaja më parë, apo dhe kur u riktheva që mbyllja karrierën, kur luanin me ne dridheshin edhe ekipet me shumë emër, Besëlidhja me Superioren që ka qenë para shumë vitesh ka qenë në vende nderi dhe luante shumë bukur edhe në elitë…/vipsort/