Një nga takimet më të rëndësishme, por edhe intersante për tu parë në javën e 6-të të Superligës është edhe ajo mes Kukësit dhe Vllaznisë. Derbi i veriut nëse mund ta cilësojmë kështu do luhet ditën e dielë në Elbasan. Të dy skuadrat kanë pasur një ecuri pozitive në këtë start kampionati.
Kuqeblutë shkodranë janë në vendin e dytë me 9 pikë e ndërsa verilindorët kanë vetëm 1 pikë më pak se Vllaznia. Dy ekipe që po luajnë sipas ekspertëve të ndryshëm të futbollit futbollin më të mirë deri më tani në Superligë. Aktualisht edhe sy sulmet më të mira, ku Vllaznia ka shënuar 13 gola deri më tani e ndërsa Kukësi 11 të tillë, po aq sa edhe ekipi i Tiranës.
Edhe të dielën pritet një takim i hapur mes Kukësit dhe Vllaznisë. Por, duket se një duel do kenë edhe sulmuesit kroatë mes tyre. Bëhet fjalë për Edi Basa të Kukësit dhe Ante Aralica të Vllaznisë. Dy emra të panjohur për futbollin tonë deri përpara fillimit të këtij sezoni. Të dy sulmues të ardhur nga shkolla kroate e futbollit dhe që po bëjnë mirë në kampionat.
Të dy kanë shënuar nga 3 gola në 5 javët e para. Janë golashënuesit më të mirë të skuadrave të tyre dhe kanë vetëm 1 gol më pak se kryegolashënuesi i Superligës, Zarubica me 4 gola. Pra, duket se brenda ndeshjes do ketë edhe një duel personal mes dy sulmuesëve kroatë dhe zgjidhja e takimit e golat priten nga Basa e Aralica.
Endri ÇINARI







