Njëri me të majtën e tjetri me të djathtën, njëri nga Prizreni e tjetri nga Prishtina, njëri me Dinamon e tjetri me Vllazninë. Po flasim për dy futbollistët Enis Gavazaj (Dinamo) dhe Liridon Latifi (Vllaznia). Një duel mes miqsh që vjen ditën e hënë në “Loro Boriçi”.

Të dy lojtarët kanë shumë të përbashkëta në karrierën e tyre. Që nga shkëlqimi që në një moshë shumë të re, ku u transferuan edhe në kampionate jashtë Shqipërisë, tek sukseset me Skënderbeun, veshja e fanellës së kombëtares shqiptare apo edhe rikthimi edhe njëherë në Superligën tonë për të dy.

Dyshja njihen prej kohësh bashkë dhe kanë një miqësi shumë të madhe mes tyre. Së bashku kanë luajtur në sezonin 2016-17 tek Skënderbeu, i cili mahniste edhe në Europë në ato vite. Të dy driblues dhe me aftësi teknike të jashtëzakonshme arritën që të bënin emër në futbollin tonë.

E të hënën fati do i vërë përballë të dy. Ku nga krahu i majtë i Vllaznisë do veprojë Latifi e nga ai i djathtë i Dinamos do jetë Gavazaj. Një duel “kokë më kokë” mes dy shokëve që tashmë vihen përballë e gati për të dueluar mes tyre.
Endri ÇINARI