Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia i drejtohet javës së 13-të të kampionatit me një objektiv të qartë: fitoren. Kuqeblutë do të presin Laçin në “Loro Boriçi”, përballë tifozërisë së tyre, me synimin për të vijuar serinë pozitive të rezultateve dhe për të regjistruar një tjetër trepikësh që do t’i jepte më shumë besim skuadrës së drejtuar nga Csaba Laszlo.
Shkodranët vijnë në këtë përballje pas dy fitoreve radhazi në kampionat, fillimisht ndaj Partizanit me rezultatin 0-1 dhe më pas ndaj Elbasanit, në shifrat 1-0. Dy rezultate që kanë rikthyer qetësinë dhe besimin në kampin kuqeblu, duke i dhënë ekipit një moment pozitiv pas një periudhe ku rezultatet nuk kishin qenë në nivelin e pritshmërive.
Pikërisht për këtë arsye, sfida me Laçin merr një rëndësi të veçantë. Një tjetër fitore do t’i jepte Vllaznisë mundësinë për të kompletuar tripletën e sukseseve dhe për të konfirmuar se dy rezultatet e fundit nuk kanë qenë thjesht një moment kalimtar, por pjesë e një rikthimi të skuadrës në rrugën e duhur.
Në të njëjtën kohë, një trepikësh përballë laçianëve do të ndryshonte edhe më shumë atmosferën rreth skuadrës. Me pikët që do të shtoheshin në klasifikim, Vllaznia do të mund të shihte më seriozisht drejt zonave më të larta të renditjes, duke e kthyer këtë periudhë pozitive në një mundësi reale për të ngushtuar distancën me rivalët që ndodhen më sipër.
Në kampin shkodran nuk duan që forma e fundit të shkojë dëm. Përkundrazi, synimi është që ajo të konkretizohet me pikë dhe rezultate, duke nisur pikërisht nga përballja e kësaj fundjave. Dy fitoret e fundit kanë sjellë një tjetër energji te kuqeblutë dhe një sukses i tretë radhazi do të ishte konfirmimi më i mirë i këtij ndryshimi.
Përballë do të jetë Laçi, një kundërshtar që kërkon vëmendje dhe respekt, por Vllaznia e di mirë se këtë herë gjithçka kalon nga një tjetër paraqitje e sigurt dhe mbi të gjitha nga rezultati. “Loro Boriçi” pritet të jetë skena ku kuqeblutë do të kërkojnë të mbyllin këtë seri me një tjetër fitore, duke i dhënë vazhdimësi projektit të Laszlos dhe duke e afruar skuadrën gjithnjë e më shumë me objektivat e saj.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


