Tuesday, February 17, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDueli me Bylis, Vllaznia duhet t’i bëjë llogaritë pa 3 titullarë

Dueli me Bylis, Vllaznia duhet t’i bëjë llogaritë pa 3 titullarë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia do të duhet të bëjë llogaritë me mungesa të rëndësishme në javën e 25-të të Superiores, në transfertën ndaj Bylis në Ballsh. Në një moment delikat të sezonit, ku çdo pikë peshon ndjeshëm në objektivat e skuadrës, kuqeblutë do të zbresin në fushë pa disa prej elementëve më të rëndësishëm të formacionit.

Lirim Kastrati, krahu i djathtë i shkodranëve, do të mungojë në këtë përballje. Numri 7 nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Martini, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në repartin ofensiv. 27-vjeçari u ndëshkua me karton në suksesin dramatik 2-1 ndaj Elbasanit, duke plotësuar kështu numrin e kartonëve dhe automatikisht duke u pezulluar për sfidën e radhës. Një ndëshkim që i kushton jo pak Vllaznisë, sidomos pas formës së shkëlqyer që Kastrati ka shfaqur gjatë vitit 2026, ku ka qenë ndër futbollistët më të qëndrueshëm dhe më të rrezikshëm në krah.

Por lista e mungesave nuk ndalet këtu. Edhe sulmuesi Bekim Balaj dhe mbrojtësi Erdenis Gurishta do të jenë të pezulluar për sfidën në Ballsh, pasi kanë plotësuar numrin e kartonëve. Dy mungesa që prekin drejtpërdrejt boshtin e skuadrës, duke dobësuar si repartin ofensiv ashtu edhe atë mbrojtës.

Balaj, me eksperiencën dhe instinktin e tij para portës, ka qenë një pikë referimi në sulm, ndërsa Gurishta ka ofruar siguri dhe stabilitet në prapavijë. Mungesa e tyre, së bashku me atë të Kastratit, e bën edhe më sfiduese transfertën ndaj mallakastriotëve, në një ndeshje ku ritmi, intensiteti dhe menaxhimi i momenteve do të jenë vendimtare.

Megjithatë, Martini dhe stafi i tij teknik kanë treguar gjatë sezonit se dinë të gjejnë zgjidhje edhe në situata të tilla. Vllaznia ka treguar se zotëron alternativa cilësore në stol dhe fleksibilitet taktik, elementë që mund të bëjnë diferencën edhe në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Bylis.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments