Aventurës së Dritës në Europë i ka ardhur fundi teksa skuadra gjilanase është mposhtur me rezultatin 0-2 në shtëpi ndaj Antwerp.

Edhe pse shanset për kualifikim të skuadrës nga Kosova ishin të mira pas barazimit 0-0 në transfertë, në fund vendasit nuk mundën t’i bënin ballë belgëve duke pësuar në pjesën e dytë.

Goli vendimtar i sfidës erdhi në minutën e 53-të teksa ishte pikërisht një shqiptar që ndëshkoi Dritën. Fjala është për Laurit Krasniqin, mbrojtësin 21-vjeçar të Antwerp që është me origjinë nga Ferizaj.

Goli i Krasniqit qëndroi në fuqi deri në minutë të 97-të, kur miqtë në kundërsulm shënuan edhe golin e dytë që vulosi eliminimin e vendasve. Në këtë formë Drita largohet në turin e dytë të Conference League teksa më parë ia kishin dalë me sukses në raundin e parë nga Inter Turku.