Nga Endri ÇINARI

Vllaznia si kundërshtar në ndeshjen e rradhës në kampionat do ketë Laçin. Takim ky që do zhvillohet ditën e premte, në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Një duel që gjithmonë ka prodhuar rivalitet dhe garë mes dy skuadrave. Madje kurbinasit në vitet e shkuara konsideroheshin si “mace e zezë”.

Bardhezinjtë në 10-vjeçarin e fundit në Superiore kanë qenë një faktor. Ku përveç kualifikimit thuajse çdo sezon në kupat e Europës, ata kanë ditur edhe të fitojnë trofe. Këtë edicion ndoshta pretendimet janë pak më modeste dhe klubi duket se është përqendruar tek promovimi i futbollistëve të rinj.

Këtë e tregon edhe mosha mesatare e skuadrës së Laçit. Kurbinasit kanë një moshë prej 21.9 vjeç, që i bën ata skuadrën me moshën më të re këtë edicion në Superiore. Politika e drejtuesve ka qenë gjithmonë për promovimin dhe shitjen e elementëve të prespektivës.

Dhe në këtë mënyrë Vllaznia do jetë përballë “vogëlushëve” të Superiores. Por që kategorikisht nuk mund të nënvlerësohen dhe kjo u vërtetua edhe në fazën e parë. Ku Laçi përmbysi Vllazninë, për të siguruar në fund një fitore në shifrat 2-1. Prandaj edhe dueli i këtij raundi pritet i vështirë për ekipin e drejtuar nga Qatip Osmani tashmë.