Laçi ka pësuar një ngjitje të paimagjinueshme nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa, pasi nga zona e ftohtë kurbinasit e nisën fazën e tretë si forca e dytë e kampionatit. Përveç paraqitjes së kurbinasve, në këtë arritje ka funksionuar edhe strategjia e trajnerit Josa duke e mbajtur ekipin larg presionit, pasi ndeshja e radhës shikohet si synimi i vetëm i Laçit.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” trajneri kryeqytetas pohoi se skuadra e tij nuk është nga ato ekipet që dalin kampion që në shtator. Kurbinasit presin të dielën Vllazninë, që është ekipi i vetëm që u ka marrë 6 pikë në dy fazat e para. Josa nuk e shikon duelin e radhës si një mundësi hakmarrjeje, por kërkon që ekipi të bëjë lojën e tij dhe ashtu shkojnë te suksesi.
Ndonëse Laçi ka humbur një peshë të rëndë në formacion, Regi Lushkja, që u shit te Sherif Tiraspoli, Josa ka besim se ekipi do të dijë të reagojë në vazhdimësi. Ai, Lushkjes i uron suksese dhe ka besim se ata që do të luajnë në vend të të munguarve do të bëjnë po aq mirë, me shpresën se do të marrin edhe fitoren e parë ndaj Vllaznisë.
Kur keni marrë drejtimin e Laçit, skuadra ndodhej në zonën e ftohtë, ndërsa tani është forca e dytë e kampionatit. A ka mundësi për më shumë ekipi që ju drejtoni?
Ajo që ka më shumë rëndësi për mua është që t’i marr 100% skuadrës në ndeshjen e radhës. Kështu që duhet të jemi si skuadër për të fituar takimin. Duhet të kemi parasysh se me kë luajmë dhe si do të arrijmë që ta fitojmë ndeshjen.
Me sa duket ka funksionuar strategjia juaj duke e hequr presionin nga ekipi, pasi nuk përmendni trofe, kur dihet se shumë ekipe shpallen për kampion që në shtator?
Për çfarë duhet të ketë presion ekipi? Ne nuk jemi nga ato skuadra që parashtruat në pyetje. Këtë gjë e kemi parë shumë mirë, pasi kur ka menduar ekipi në këtë formë, edhe kur nuk kam qenë unë në drejtim, kemi bërë keq edhe mirë. Ndaj duhet që çdo futbollist të paraqitet sa më mirë dhe të tregojë vlerat në lojë. Paraqitja e mirë e individëve sjell suksesin e skuadrës në fund të ndeshjes.
Pohuat se mendoni vetëm për kundërshtarin e radhës. Luani ndaj Vllaznisë, ekipi që e ka mundur Laçin në dy fazat e para. Si e shikoni përballjen e fazës së tretë?
Luajmë ndaj Vllaznisë që na ka marrë gjashtë pikë dhe në krahasim me vitin e kaluar kundërshtarin e shikoj si një skuadër më solide. Vllazninë e shikoj si një ekip që nuk i humbet ekuilibrat lehtë, kështu që është një ndeshje shumë delikate.
Keni humbur Lushkjen, një nga shtyllat e mesfushës. A do të ndikojë shitja e tij si në ndeshjen me Vllazninë dhe në vazhdimësi?
Së pari, Lushkjes i uroj suksese atje ku është dhe të bëjë më mirë sesa ka bërë te ne. Ai u transferua si për të mirën e tij dhe të klubit tonë. Jam shumë i kënaqur me karakterin e tij. Nuk do të thotë gjë se iku ky lojtar, pasi do të mundohemi që ta zëvendësojmë me futbollistë të tjerë. Normal që mungesa e tij do të ndihet.
Përveç Lushkjes keni edhe Shehun të pezulluar për këtë javë…
Siç kemi ne mungesa, kanë edhe skuadrat e tjera. Nëse nuk do t’i llogarisim këto mungesa, atëherë është e kotë që të luhet futboll. Kanë marrë kartonë të verdhë për luftë sportive, kështu që nuk kemi asnjë lloj problemi. Lojtarët që priten si zëvendësues të këtyre mungesave mendoj se do të japin maksimumin e tyre.
Meqë Vllaznia ju ka mundur në dy fazat e para, a mund të jetë sfida e radhës si një mundësi “hakmarrjeje” për trepikëshin e parë ndaj tyre?
Aspak, nuk e shikoj të tillë. Nuk merren ndeshjet duke menduar se çfarë është bërë në dy përballjet e kaluara. Ne mendojnë vetëm për takimin e radhës dhe gjendjen aktuale. Ndaj, nuk është kjo një shtysë për ne. Shtysë për ne është që të bëjmë futbollin tonë dhe të arrijmë suksesin.