Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, është i mendimit se skuadra shkodrane është e gatshme të marrë fitoren e radhës ndaj Laçit në kampionat, kur dihet se kuqeblutë kanë triumfuar në dy fazat e shkuara. Vllaznia është skuadra e vetme që njeh dy fitore ndaj laçianëve në këtë sezon, duke u kthyer në një “mace të zezë” për kurbinasit.

Fitorja e arritur ndaj Kastriotit, që ishte e para pas katër barazimeve radhazi, duket se e ka rritur entuziazmin te të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Gurishta e shikon me pozitivitet pjesën e dytë të sezonit, teksa kërkon nga ekipi që të bëjë më të mirën e mundshme për të qenë konkurruese deri në fund.

Me fitoren ndaj Kastriotit i dhatë fund serisë së barazimeve…

Ishte një trepikësh me shumë vlera dhe i rëndësishëm për ne. Vinim pas disa barazimeve radhazi dhe e kishim parashikuar që do të ishte ndeshje shumë e fortë, por në fund morëm atë që merituam.

Jeni e vetmja skuadër që keni fituar dy herë ndaj Laçit. A pritet e treta radhazi këtë të diel?

Laçi nga java në javë ka treguar rritje dhe kjo shikohet në klasifikim. Për ne do të jetë një ndeshje ndryshe nga dy të parat, por shpresoj që të fitojmë për herë të tretë në këtë sezon ndaj kurbinasve.

Pas fitores 3-5 në premierë u duk se Vllaznia do të ishte ajo e vjetshmja, por nuk rezultoi ashtu. Çfarë ndodhi në dy fazat e para?

Kemi marrë shumë barazime ndonjëherë pa fat ose të merituar. Ecuria e mirë dhe shkëputja e Tiranës ka bërë që të tjerët të mendojnë se Vllaznia nuk është ajo e vjetshmja, por jemi më të fortë.

A ka ardhur koha që të zhbllokohet edhe sulmi ndaj Laçit?

Është një kundërshtar shumë i fortë, sidomos në fushën e tij. Do të isha i lumtur me marrjen e tri pikëve edhe nëse sulmi nuk shënon.

Një pikë ndaj kurbinasve mund të quhet rezultat pozitiv?

I vetmi objektiv për të cilin lufton Vllaznia është fitorja në çdo ndeshje. Pastaj gjatë lojës shumë episode të ndryshme që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

A janë shumë 10 pikë diferencë me Tiranën kryesuese?

Janë shumë nëse nuk bëjmë disa fitore radhazi. Por, do të jenë pak nëse rikuperojmë pikët e lëna pas shumë barazimeve që kemi bërë.

Çfarë duhet të ndryshojë Vllaznia në gjysmën e dytë të sezonit për të qenë pretendente për titull?

Nuk mendoj që ka ndonjë gjë të madhe për të ndryshuar. Jemi po ato lojtarë, thjesht duhet të tregohemi më cinik në fazën sulmuese dhe më të sigurt në fazën mbrojtëse. Uroj të kemi më shumë fat se në dy fazat e para.