Nga Endri ÇINARI

Përballja e rradhës në kampionat për Vllazninë do jetë kundër Egnatias në transfertë. Sfidë që luher në kuadër të javës së 10-të dhe startit të fazës së dytë të kampionatit e që është një duel direkt për vendin e parë të renditjes.

Kjo pasi aktualisht është Vllaznia që udhëheq tabelën e klasifikimit me 19 pikë, e ndjekur pikërisht nga rrogoazhinasit që kanë vetëm një pikë më pak, në kuotën e 18 të tillave. Në këtë mënyrë skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova do tentojë marrjen e kreut në dëm të shkodranëve.

Kjo edhe për t’u “hakmarrë” për atë humbje në fazën e parë në Shkodër, ku në takimin debutues të sezonit, Egnatia u mposht 2-0 në “Loro Boriçi”. Megjithatë pavarësisht vështirësisë së sfidës dhe nivelit të kundërshtarit që respektohet nga Vllaznia, duket se tek kuqeblutë nuk “lëkunden” aspak para këtij dueli direkt. Kjo pasi objektivi i vetëm për ndeshjen e rradhës është fitorja dhe kthimi i skuadrës tek rezultatet pozitive pas humbjes 1-0 ndaj Flamurtarit në raundin e 9-të të kampionatit.

Humori dhe motivimi para një dueli të tillë është në dozat maksimale në kampin e 9 herë kampionëve të vendit. Që tek Egnatia shohin sërish rivalin më të fortë dhe ekipin që duhet mposhtur në garën për të siguruar titullin kampion në fund të edicionit.

Dhe pikërisht ndeshjet direkte mund të jenë ato që mund të peshojnë shumë në balancat e fund sezonit. Me Vllazninë që e ka fituar “betejën” e fazës së parë në kampionat dhe diçka të tillë do kërkojë t’a ripërsërisë edhe ditën e martë tashmë kësaj rradhe në Rrogozhinë.(www.shkodrasport.com)