Kompania “OverSport” ka ofruar më shumë para sesa SuperSport për të blerë të drejtën televizive të ndeshjeve të Abissnet Superiore.

Kështu, sipas të dhënave të gazetës “Tema”, platforma e re ka vendosur në dispozicion 1.2-milionë euro, ndërsa SuperSport është gati të paguajë vetëm 650-mijë euro. Në rast se, OverSport do të transmetonte ndeshjet për sezonin e ri, çdo klub i Superiores do të përfitonte 120-mijë euro.

Në vazhdim, mbetet për t’u parë nëse FSHF do të rrespektojë rregullat e garës apo do të bëjë ndonjë manovër “last-minute” për t’ia kaluar të drejtat SuperSport, pasi siç dihet, Armando Duka, është aksioner tek kjo e fundit. Në fakt, sipas gazetës “Tema”, kjo është arsyeja që po mbahet peng zyrtarizimi i transmetimit të ndeshjeve të Abissnet Superiore për sezonin e ri.

Megjithatë, çdo gjë do të mbetet për t’u parë në vazhdim, nëse do jetë OverSport apo SuperSport ajo që do ta fitojë garën për të drejtën televizive të ndeshjeve të Abissnet Superiore për sezonin e ri.

Maringlen ZHIVANI