Partizani e nisi aventurën në Europë në mënyrën më të mirë, duke fituar ndeshjen e parë ndaj Saburtalos në Gjeorgji dhe krijuar idenë se do t’ia arrinte edhe në Tiranë të merrte një rezultat pozitiv dhe të kalonte në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Kjo nuk ndodhi, pasi Saburtalo shënoi një gol dhe falë formës më të mirë fizike sesa Partizani, mundi të shënonte një gol dhe ta dërgonte ndeshjen deri te penalltitë.

Këto të fundit edhe një herë e dënuan Partizanin, që u dorëzua për shkak të gabimeve të lojtarëve të vet, pavarësisht se portieri Teqja e bëri punën e tij duke pritur dy penallti. Eliminimi ishte një zhgënjim i madh për të kuqtë për shkak të euforisë që kishte krijuar ndeshja e parë.

GODITJE PËR FINANCAT – Por drejtuesit me siguri e kanë vuajtur gjithashtu sa tifozët, ndoshta edhe më shumë skualifikimin, për shkak se kalimi i turit të parë përkthehej me të paktën 250 mijë euro më shumë në arkat e klubit. Këto të ardhura do të ishin një ndihmë e madhe për klubin, për përballimin e sezonit të ri, që nis më 20 gusht. Nga aventura europiane,

Partizani fitoi pak më shumë se 250 mijë euro, para të cilat nuk i fut të gjitha në xhep. Pas ndeshjes ndaj Saburtalos kishte trazira dhe në ditët në vijim në “e-mail”-in e klubit pritet që të mbërrijë një gjobë e majme nga UEFA, çka do të thotë se të kuqtë do të duhet të kthejnë një shumë parash nga ato që fituan Europën, teksa shifra të tjera të konsiderueshme u shpenzuan për fazën përgatitore dhe çarterin për në Gjeorgji.

“FRENIMI” – Arkëtimi i një shifre modeste nga Europa është pa dyshim një goditje për klubet tona dhe këtu nuk bën përjashtim as Partizani. Madje, të kuqtë i dhanë shenjat menjëherë pas eliminimit nga Saburtalo. Jozef Menish është firma e vetme pas eliminimit, teksa duhet shtuar se marrëveshja me sllovakun ishte arritur para humbjes në “Air Albania”. Më pas të kuqtë duket se janë tërhequr në merkato për të bërë disa llogari në lidhje me lojtarët që stafi teknik kërkon dhe financat që duhen. Në klub nuk janë të gatshëm të bëjnë më “çmenduri”, siç ka ndodhur në të shkuarën me emra si Çani apo Kaçe.

Këtë e treguan me Kapanin dhe Merkajn, të cilët kërkonin shumë investim, por drejtuesit u tërhoqën dhe nuk hynë në aventurë. Shenjat janë të qarta, në javët e mbetura të merkatos nuk priten mrekulli. Një tjetër tregues se klubi ka zgjedhur të kursehet me harxhimet është edhe fakti se këtë herë është zgjedhur Pogradeci për fazë përgatitore, një qytet, të cilin përgjithësisht e zgjedhin ekipe të dorës së dytë të Superiores.