Tashmë nuk ka më asnjë enigëm. Klubi i Futbollit të Femrave të Vllaznisë në bashkëpunim me UEFA-n por edhe me ALG Spor Kulubu kanë caktuar datën dhe orën se kur do të luhet ndeshja në mes këtyre dy ekipeve, e vlefshme për turin e parë të Ligës së Kampioneve të Europës.

Ka qenë presidenti i Vllaznisë Lazer Matija ai që e ka bërë publike këtë gjë gjatë emisionit “Sport Arena” kur është shprehur: “Gjithçka është zyrtarizuar tashmë. Ndeshja në mes Vllaznisë dhe kampiones turke ALG Sport Kulubu do të luhet të martën e datës 3 nëntor në ora 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës”.

Por ndërkohë ndeshjet e Champions League po luhen me një numër të reduktuar tifozësh nëpër Europë por në Shqipëri kjo duket e pamundur si rrjedhojë e vendimit të instancave shtetërore që nuk lejojnë hapjen e dyerve të stadiumit. Çka do të thotë se ndeshja në fjalë do të luhet pa praninë e tifozëve.

“Për fat të keq tifozët nuk do t’i kemi mbështetje këtë herë dhe ky është një minus i madh për ne, por futbollistet e Vllaznisë do të bëjnë më të mirën e tyre për të luajtur e për të fituar edhe për ta”- ka thënë presidenti Matija.

Takimi Vllaznia- ALG Sport Kulubu i të martës së ardhshme është një takim i vetëm dhe skuadra që e fiton atë do të kualifikohet për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian. Ekipi shkodran edhe sezonin e kaluar ka arritur të kualifikohet për në turin e dytë dhe të njëjtën gjë synon të bëjë edhe sivjet./SHKODRA-SPORT.COM/