Presidenti i FK Deçiç të Tuzit Pal Dreshaj ka qenë mbëmë i ftuar në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa teksa ka bërë prezent të gjithë transformimin e këtij klubi në një vit e gjysëm teksa nga një klub thuajse i shkatërruar tashmë është shndërruar në krejt tjetër gjë. Skuadra e parë funksionon dhe është nga më të mirat në Superligën e Malit të Zi, ka investime në infrastrukturë por edhe shumë projekte për të ardhmen.

Por nga ana tjetër, numri 1 i klubit shqiptar në kampionatin malazez u ka bërë një ofertë edhe të gjithë futbollistëve shkodranë që për një arsye apo një tjetër nuk gjejnë vend te Vllaznia, i kanë të hapura dyert te Deçiçi. Dhe jo vetëm futbollistët, por edhe trajnerët sepse shkodranët janë gjithnjë të mirëpritur në skuadrën e tij.

“Deçiçi i ka dyert e hapura për të gjithë futbollistët që mund të ndjekin aspiratat dhe qëllime tona, për futbollistët që duan të kenë një karrierë. Ata lojtarë të cilët për një arsye apo një tjetër nuk gjejnë vend te Vllaznia, që janë të rinj dhe ambiciozë për karrierën e tyre, tani e tutje e kanë edhe një mundësi më shumë për të treguar vlerat e tyre dhe kjo mundësi është Deçiçi.

Por nga ana tjetër klubi jonë është i hapur edhe për trajnerët shkodranë të cilët mund të vijnë e të punojnë në Tuz sepse Deçiç ka nisur një projekt serioz dhe ata mund të bëhen pjesë e këtij projekti.

Dhe ne nuk mendojmë vetëm për një apo dy vite. Po punojmë që të krijojmë qëndrueshmëri në rezultate e punë dhe duke qenë kështu pastaj shumë gjëra do të vijnë duke u rregulluar vetë. Por dyert e Deçiçit do të jenë të hapura edhe për tifozët shkodranë e veriorë.

Duke shpresuar në normalizimin e situatës nga pandemia dhe hapjen e dyerve të stadiumit, shpresoj që t’i kemi edhe ato në shkallët e stadiumit sepse në fakt kemi marëdhënie shumë të mira me shumë prej tyre. Tifozët e Deçiçit janë të gjithë edhe tifozë të Vllaznisë dhe shpresojmë që të jetë edhe e kundërta”-ka thënë presidenti Dreshaj.

Skuadra e Deçiç është surpriza e kampionatit të sivjetëm të Kategorisë Superiore në Mal të Zi teksa në 10 javët e para të kampionatit ende nuk njeh shijen e humbjes dhe renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit./SHKODRA-SPORT.COM/