Shpëtim Duro e ka cilësuar ndeshjen e fituar nga Egnatia ndaj Vllaznisë si të rëndësishme por edhe të merituar për skuadrën e tij. Trajneri i rrogozhinasve kishte gjithsesi pakënaqësi ndaj VAR-it që i anuloi një gol, sipas tij, të rregullt.

“Kisha pak frikë sepse u ndërpre kampionati kur skuadra kishte ritëm dhe jam i kënaqur padyshim për fitoren ndaj Vllaznisë që dihet që është një skuadër e fortë.

Jo vetëm pjesën e dytë por edhe të parën, duhej të kishim mbyllur ndeshjen. Edhe goli i dytë për mua ka qenë gol i rregullt se nuk mund të ndërhyjë VAR-i kur është bërë prekje topi me dorë në mbrojtjen tonë dhe të ndërhyrjë VAR-i pas dy minutash. Vetëm në Shqipëri ndodh.

Fernando i ka dhënë qetësi skuadrës sot, shënoi por edhe me veprimet në mesfushë. Jam i kënaqur padyshim por sot kanë kontribut të gjithë”, tha Duro për “Oversport” pas sfidës.