Edhe një herë nga këmbët e Agim Ibraimit arrihet të zgjidhet ndeshja dhe Dinamo të marrë tri pikët. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, kapiteni dinamovit shprehet i kënaqur për këtë fitore dhe për golin e shënuar, për më tepër që në tribunë ishte edhe babai i tij. Gjithsesi, edhe pas një fitoreje ai gjen vend për kritika në skuadër, sepse nuk duhet të vuajnë gjithnjë kaq shumë.

Edhe pse jashtë natyrës së tij si futbollist, Ibraimi kërkon që ndonjëherë të luhet edhe “pistë”, ndërsa shpreson që të nisë një vazhdimësi këtej e tutje. Ai beson se edhe ndaj Laçit do të marrin më të mirën në fushë.

Një fitore e vështirë, por shumë e rëndësishme. Si ndiheni?
Pa dashur të justifikohemi me fushën apo gjëra e tjera, edhe rastet e pashfrytëzuara në fillim të ndeshjes ndikojnë në vazhdimësi. Kam biseduar gjithnjë me djemtë që duhet përmirësuar fillimisht në veten tonë dhe pastaj në atë kolektiv. Nëse nuk sheh gabimet e tua, nuk sheh as tek të tjerët, ndaj mendoj se në vazhdimësi duhet përmirësuar për të bërë ngritje si personale dhe kolektive.

Festuat shumë te goli, kaq shumë po e kërkonit dhe ju çliroi edhe si skuadër?
Gjatë ndeshjes, duke mos shënuar, Kastrioti filloi pak të mbyllej më shumë dhe portieri i tyre po vononte lojën, ku nisi edhe nervozizmi në ndeshje. Unë e ndiej dhe kënaqem në çdo gol dhe është e rëndësishme që i dhamë fitoren ekipit.

Në tribunë ishte edhe babai juaj. Ishte një stimul më shumë për ju?
Kishte ardhur nga Maqedonia dhe për mua është një motiv shtesë. Gjithmonë kur ka qenë në stadium kemi fituar, ndaj tani nuk do ta lëmë më të ikë në shtëpi. (qesh)

Goli i pestë për këtë edicion. E synoni edhe këtë sezon “Këpucën e Artë”, meqenëse vitin e kaluar për pak e humbët?
E kam thënë edhe vitin e kaluar, që unë nuk jam i fokusuar te kjo gjë. Në formacionin ku luaj këtu nuk jam sulmues, jam më i tërhequr. Por, kur më jepet rasti dhe mundësia për të shënuar, duhet të jem i fokusuar në 100 për qind edhe për të mos e lënë ekipin në baltë.

Ndeshja e radhës me Laçin. Çfarë prisni?
Duke e njohur edhe profesor Josën, një nga trajnerët më me eksperiencë në Shqipëri, që di ta mbledhë ekipin dhe të bëjë gjëra të mëdha, gjithsesi ne do të shkojmë në Laç për të fituar ndeshjen.

Këtë sezon ju ka munguar vazhdimësia. Mendoni se do të vijë pas kësaj fitoreje?
Ne shpresojmë. E kam thënë edhe më herët që duhet të përshtatemi shpejt dhe të krijojmë një ambient ku edhe lojtarët e rinj ta dinë se ku janë. Bluza e Dinamos është shumë e rëndë. Duhet shumë punë të arrihen majat dhe futbollistëve të rinj ua uroj me shumë zemër që një ditë të luajnë edhe për Kombëtaren. Mirëpo, vazhdimësia ka munguar edhe për shkak të moseksperiencës së futbollistëve të rinj.

Edhe në këtë ndeshje vuani shumë në fund. Çfarë duhet të ndryshoni?
Duhet të jemi, nuk di si ta them, ndoshta më “të pistë” ose “të këqij” në lojë. Në faktin që duhet edhe të vonojmë ndonjëherë lojën siç e bëjnë të gjithë dhe jo të jemi kaq “të mirë”. Futbolli nuk është kështu, sepse këtë e bëjnë edhe ekipe të mëdha në Europë dhe pse të mos e bëjmë edhe ne.