Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u bashkohet atyre që mendojnë se cilësia e Superiores ka rënë, edhe pse është rritur rivaliteti. I ftuar në “Skaner”, ai përsëriti se mbetej tifoz i Vllaznisë, por se në këtë sezon, secila nga 5 skuadrat e vendeve të para e meritonte të dilte kampione.

“Nuk di të them nëse është sezoni më i bukur, por ka shumë garë. Në krye është e vështirë të dallosh se kush nga pesë skuadrat do ta fitojë. Sa i përket cilësisë sportive, nuk mendoj se është më e mira për disa arsye. COVID-i, mungesa e tifozëve apo edhe detaje të tjera. Gara është e fortë.

Direkt jam simpatizant i Vllaznisë. Kam qenë para se të jem në Federatën Shqiptare të Futbollit. Më pëlqen që Teuta është në krye, por të pesë skuadrat e meritojnë këtë pozicion.

Është një element shumë i rëndësishëm që i mungon futbollit, tifozët, jo vetëm për kënaqësi, por edhe për kualitetin e lojës. Lojtarët janë të motivuar në një stadium plot”, tha Duka. /vipsport/