Trajneri aktual i Vllaznisë, Shpëtim Duro, edhe pse ende nuk është shkarkuar zyrtarisht nga detyra, mësohet se mund ta zgjidhë kontratën me mirëkuptim me drejtuesit e klubit. Burime pranë trajnerit, por edhe klubit shkodran, tregojnë se ditët e fundit janë dhënë sinjale për një zgjidhje me konsensus të marrëveshjes. Ndërkaq, prej tri javësh marrëdhëniet mes teknikut aktual të Vllaznisë, Shpëtim Duro, dhe drejtuesve të klubit kanë qenë të ngrira. Tashmë pritet të zyrtarizohet kalimi i klubit në dorë të biznesmenëve dhe më pas të bëhet fakt i kryer largimi i Duros nga drejtimi i pankinës.
Gjasat janë që trajnerit t’i jepet një shumë kesh, e cila do të bënte që të pranonte prishjen e kontratës me mirëkuptim. Gjithsesi, ditët në vijim do të jenë vendimtare sa i përket pankinës shkodrane.
Plani – Artan Bushati, nga sa mësohet, ka gati dhe planin e tij se si do ta ndërtojë skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit. Dihet që një ndër kushtet kryesore është renditja e kuqebluve në katër vendet e para në kampionat, në mënyrë që të zihet një vend në Kupat e Europës. Plani i tij konsiston pikërisht në afrimin e disa lojtarëve cilësorë dhe të aftë për ta mbajtur veshur fanellën shkodrane. Pavarësisht se në merkaton e janarit lojtarët cilësorë janë të paktë, për të mos thënë të pamundur për t’u gjetur të lirë, Bushati është i gatshëm të përballet dhe me një problem të tillë. Ndërkohë, po nga të njëjtat burime, mësohet se ai ka nisur piketimet e para. Bëhet fjalë për lojtarë, të cilët ai i ka drejtuar në kohën që ka qenë trajner i Shpresave. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, për aq kohë sa ai ende nuk është konfirmuar zyrtarisht si trajner i Vllaznisë. Ndërkaq, përveç pistës së gjetjes dhe blerjes së disa lojtarëve shqiptarë, në planet e tij janë dhe disa përforcime të huaja. Me saktësi nuk mund të thuhet asgjë, në qoftë se janë nga kampionati malazez, kroat apo serb. Gjithsesi, Bushati prej shumë kohësh vazhdon të udhëtojë shpesh drejt Malit të Zi. Megjithatë, gjërat duket se po realizohen paraprakisht, në mënyrë që të mos humbet aspak kohë.
Admir Uruçi