Në turin e dytë të Conference League, Vllaznia do të përballet me rumunët e Universitatea Craiova. Sipas trajnerit të Laçit, Shpëtim Duro, Univeristatea është më e dobët se vjet.
Ai u tregua i gatshëm të ndihmojë shkodranët apo kryesisht mikun e tij Mirel Josa, nëse këshillat e tij vlejnë në përgatitjet, që Vllaznia do të bëjë për rumunët.
Duro u shpreh se ai e njeh shumë mirë Kraiovën, ndërsa theksoi se shumë futbollistë kryesore i kanë ikur nga ekipi i vjetshëm.
“Universitatean e njoh shumë mirë, për arsyen se jemi përballur me rumunët në sezonin e kaluar. Na rastisi që t’i përgatisim dhe t’i studiojmë me shumë vëmendje ato dy ndeshje.
Kanë një pjesë të futbollistëve që kanë qenë edhe në sezonin e shkuar, por e them me bindje se Krajova është më e dobët se vjet, pasi kanë ikur shumë lojtarë kryesorë nga ekipi i vjetshëm.
Deri tani, nuk më ka kontaktuar asnjë nga Shkodra, por çdo përfaqësues i Vllaznisë që kërkon të më kontaktojë e ka derën e hapur, aq më shumë trajneri Mirel Josa, që jemi edhe miq me të.
Do të isha shumë i gatshëm t’i ndihmoj, në qoftë se informacioni im do t’u hynte në punë, madje do të isha shumë i kënaqur”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro.
Maringlen ZHIVANI