Trajneri Shpëtim Duro, pas barazimit në Durrës, sot pret maksimumin nga Laçi. Trajneri i kurbinasve pohon se Vllazninë e respektojnë nga emri dhe ecuria që ka aktualisht, por duke besuar te skuadra e tij, kërkon të realizojë objektin. Nisur nga pikët, për “Panorama Sport” trajneri kryeqytetas pohoi se Laçi e ka të domosdoshme fitoren sot.

Ndryshe nga java e shkuar, tani keni pasur mundësi ta njihni më mirë skuadrën, ku sërish ju pret një sfidë e vështirë, ndaj Vllaznisë?

Është e vërtetë që këtë javë e kam bërë të plotë me ekipin. Unë ekipin e njihja edhe më parë, por është ndryshe kur je në distancë dhe kur e stërvit çdo ditë. Kështu që kam pasur mundësi t’i njoh lojtarët edhe si karakter dhe të punoj edhe individualisht. Sigurisht që kjo javë më ka shërbyer shumë, por të shikojmë.

Barazimin me Teutën e vlerësuat si pikë morali, por edhe ekipi ishte më i angazhuar. Shpresoni që kjo ecuri e Laçit të vijë në rritje?

Patjetër dhe për këtë kam folur edhe me skuadrën. Të gjithë e dinë që Laçi e ka organikën, përpos rezultateve jo të mira që pati në fillim. Për këtë shkak skuadra ka krijuar një ngërç psikologjik, por edhe fati i ka munguar në disa takime. Ndeshja me Teutën ishte pozitive se përballë kishim një kundërshtar të fortë, që ndodhej në pozita jo të mira ashtu si ne. Ajo që më pëlqeu në këtë ndeshje ishte angazhimi 100% i lojtarëve, ndërsa për problem gjatë lojës kam diskutuar me skuadrën. Tani shpresoj që të bëjmë mirë me Vllazninë.

Përballjen e sotme si e shikoni, aq më shumë që jeni edhe një ish-trajner i skuadrës shkodrane?

Kemi përpara një kundërshtar që është në vend të parë dhe do ta respektojmë në maksimum. E kam thënë edhe më parë që Vllaznia është me meritë në vend të parë. Ka avantazhin se është mirë me pikë dhe me moral të lartë. Ky është avantazhi i vetëm me Laçin, pasi si përballje dihet, aq më shumë që në fillim të kampionatit ishin kurbinasit ata që kuotoheshin si favorit. Është një kundërshtar që do ta respektojmë në maksimum, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin në këtë takim, që është shumë i rëndësishëm.


I druheni më shumë emrit të kundërshtarit apo pozitës që mban aktualisht Vllaznia?

Patjetër që Vllazninë e respektojmë si emër dhe për gjendjen që ka aktualisht në kampionat.


Mund të jetë skuadra juaj ajo që do të ndalë vrullin e shkodranëve?

Sigurisht që Laçi do të hyjë në fushë për të bërë maksimumin, pasi na duhen shumë pikët, aq më shumë në fushën tonë. Në futboll nuk ka mënyrë absolute. Ndaj duhet të luajmë dhe t’i bëjmë “hyzmetin” që të marrim maksimumin. Shpresoj dhe besoj tek ekipi se do të bëjë më të mirën në këtë takim. Kampionati është i gjatë si për ne dhe Vllazninë, ndaj do të ketë edhe fitore, barazime dhe humbje. Por kësaj radhe e kemi më të domosdoshme fitoren se kundërshtari. Them kështu pasi dihet që Laçi ka ngelur pak prapa me pikë dhe na duhet të rikuperojmë.

Nëse fitoni sot, besoni se Laçi do të futet në korsinë që e menduan të gjithë në fillim të sezonit, që shikohej si pretendent serioz?

Një fitore të rregullon shumë gjëra, moralisht dhe me pikë në renditje. Patjetër që me një fitore me Vllazninë situata nis e rregullohet, por kundërshtari i çdo jave është i vështirë dhe që duhet respektuar e vlerësuar maksimalisht. Pra, sot na duhet një fitore për vazhdimësinë.


Si është gjendja e skuadrës suaj para ndeshjes dhe a keni diçka që ju shqetëson nga brenda ambientit?

Shqetësime kemi, pasi kemi akoma lojtarë që nuk janë 100%. Kemi disa lajme pozitive, pasi në krahun e djathtë janë rikthyer Marku dhe Kërçikun. Gjithsesi, do të vlerësojmë formën e gjithsecilit deri para ndeshjes dhe më pas do të vendosim për formacionin.