Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, e cilëson problem psikologjik atë që po kalon Kukësi i cili arrihet dhe i ikin pikët nga duart në të tretën ndeshje radhazi. Në “SuperSport” ai deklaroi se ekipi kishte qenë i ngarkuar psikologjikisht para kësaj sfide dhe kishte shpërdoruar mundësi të mira shënimi.

“Nuk kam fjalë për të thënë, është ndeshja e tretë që humbim pikët në momentet e fundit. Sigurisht unë nuk kam çfarë të them për lojën në përgjithësi se të tre ndeshjet kemi qenë mirë, sidomos në pjesën e dytë, kanë qenë momentet për të mbyllur takimin, edhe sot, me shumë kundërsulme e hapësirë, por nuk mbyllëm. Edhe fati i keq na dënon dhe na heq dy pikë të rëndësishme.

Nuk mund të flas për emra, se futbolli i ka këto situata, më vjen keq që i ndodhi portierit Xhika, se ka bërë ndeshje të mira e na ka shpëtuar. Ishte një rast i pastër i Abazajt, kur ishim në avantazh kishim disa mundësi e hapësira për të mbyllur takimin.

Kur nuk vjen rezultati mund të gjendet edhe gabimi, ishte momental në fund, ishte edhe me Tiranën në fund, nuk kam çfarë t’i them skuadrës, është edhe psikologjike se u bë ndeshja e tretë që na ndëshkojnë. Ishte momenti që loja të përfundonte, prisja zëvendësimin e tretë dhe goli ishte i evitueshëm. Por nuk dua të ngarkoj portierin se ka qenë ndër më të mirët. Kemi lënë pikët në fund, i vetmi pishman më ka mbetur është që kemi pasur mundësitë për të mbyllur ndeshjen para fundit, këtë kam pishman.

Këtë javë ishim të ngarkuar psikologjikisht, sot skuadra ishte e ngarkuar, por mua më pëlqeu se kishte ndeshje të vështirë me Teutën që ka lojtarë cilësorë në përbërje. Skuadra ka funksionuar mirë me gjithë problemet e kësaj jave, nuk kam çfarë emri t’i vë se u bë hera e tretë. Sot ishin të kushtëzuara zgjedhjet, si me Tiranën, është moment përqendrimi në momentet e fundit që na ka rënduar shumë”, tha Duro. /vipsport/