Flamurtari mbyll merkaton me dy brazilianë. Në Vlorë kanë zbarkuar dje Kuitera Gomes Kabral Nikolas dhe Markues Pedrosa Zhoao Pedro, duke iu shtuar organikës së kuqezinjve.

Ata luajnë në sulm dhe janë të datëlindjes 2003, ndaj shihen si elementë edhe për të ardhmen. Lojtarët kanë nisur stërvitjen, por vetëm në vazhdim mund të marrin minuta.

Flamurtari llogarit vetëm fitore me Memaliajn, ndeshje që e luan sot në shtëpi. Dritan Resuli qartëson se skuadra është gati, por po mendon që të bëjë rrotacion. Gjatë një deklarate të dhënë, numri një i pankinës tha: “Jemi gati për rifillimin e kampionatit.

Kupa na vlejti, pasi na ka ndryshuar ritmin e stërvitjes. Të gjithë lojtarët i kemi në dispozicion dhe mendoj të bëj ndonjë rrotacion. Disa lojtarë nga U-19 janë ambientuar shumë mirë me grupin dhe mund t’u jap minuta.

Të them të drejtën nuk jam shumë i kënaqur me fazën përgatitore. U bëmë ‘vatër’ epidemike dhe disa futbollistë qëndruan edhe pushim. E megjithatë, e rikuperuam shpejt dhe kjo hapësirë na ndihmoi dhe kemi bërë më të mirën. Kështu që, jemi gati për maksimumin në çdo ndeshje”, shprehet fillimisht tekniku.

Teksa ndalet tek objektivat, ai pret që të mbyllen një orë e më parë llogaritë me ngjitjen. “Objektivi tashmë dihet. Na mbetet për detyrë që ta mbyllim sa më shpejt edhe nga ana matematikore ngjitjen lart.

Ne kemi bërë një fazë të parë shumë të mirë. Ekipi erdhi duke u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje dhe kjo na ngroh. Dimë që faza e dytë është shumë e vështirë pasi edhe terrenet dhe situatat apo ato gjëra që kemi thënë mund të kenë një koeficient vështirësie.

Por besoj se kemi për ta mbyllur shumë shpejt”, tha vlonjati. I pyetur për frikën nga aleancat, nuk është se shqetësohet. “Jemi ambientuar me çdo situatë, pasi kishim kohën e plotë në dispozicion.

Nuk është më një terren i panjohur pasi e kaluam fazën e parë. Përveçse të qenit gati, absolutisht asgjë tjetër”, përfundon Resuli. /PANORAMA-SPORT/