Vllaznia e futbollit të femrave ka dalë tre herë e fituar nga shorti i turit të parë të “UEFA Women Champions League”, që është hedhur mesditën e djeshme në Nion të Zvicrës. Kështu, pikësëpari, kampionia shqiptare në bazë të shortit të hedhur, do të jetë në grupin 10, një nga dy të vetmit me tre skuadra në këtë tur të parë të këtij kompeticioni shumë të rëndësishëm europian.

Së dyti, Vllaznia do të kalojë direkt në finalen e grupit, ku do të ndeshet me fituesen e çiftit Breznica Pljevlja e Malit të Zi dhe Spartak Myjava e Sllovakisë. Ndërkohë e treta, kjo ndeshje do të zhvillohet në Mal të Zi dhe ky padyshim që është një tjetër lajm i mirë për Vllazninë.

Afërsia gjeografike do të bëjë të mundur, që në finale e 21-gushtit, që me shumë mundësi do të luhet në stadiumin e Podgoricës, do të ketë edhe tifozë shkodranë, që do t’i mbështesin vajzat kuqeblu drejt kualifikimit për në 32-skuadrat më të mira të Europës. Nëse do të arrihej kjo gjë, do të ishte diçka historike, sepse Vllaznia do ta realizonte për herë të parë në katër pjesëmarrjet e fundit në këtë kompeticion të rëndësishëm europian.

Ndërkohë, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka, në një intervistë për “Shkodra Sport” u shpreh se shorti nuk ishte i vështirë, ndërsa theksoi se është i favorshëm për vetë vendin ku do zhvillohen ndeshjet, pikërisht në Podgoricë.

“Normalisht që, shorti që na ra, nuk mund të themi që është i vështirë, por gjithsesi ka vështirësirat e veta. Për ne, ishte i favorshëm për vetë vendin, ku do zhvillohen ndeshjet. Afërsia gjeografike bën të mundur ardhjen e tifozëve të Vllaznisë, por edhe të shqiptarëve të Malit të Zi.

Fat ishte edhe grupi 10, që na ra si short, ku ky grup përbëhej nga 3-ekipe dhe duke pasur parasysh koefiçentin që kemi ne në UEFA, kaluam direkt në ndeshjen e dytë.

Nuk mundemi të flasim për ekipet kundërshtare, sepse të gjithë e dëshirojnë kalimin në 32-she dhe normalisht do bëjnë lëvizjet e tyre në merkato. Nuk mundemi të flasim para kohe, sepse të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Champions League, kanë objektivat e veta.

Megjithatë, ne duke pasur mbështetjen e fuqishme të presidentit Matija, që ka filluar punën shumë përpara në merkato, që të gjejmë futbollistet e duhura në ato pozicione ku ekipe e ka të domosdoshme të ndërhyhet, që në të arrijmë ato objektiva që i kemi, që të arrijmë në 32-ekipet më të mira.

Normalisht që, duhet punë e madhe që të arrijmë ato objektiva, por me punën e presidentit Matija, të stafit teknik dhe mjekësor, por mbi të gjitha me grupin e vajzave, që janë te Vllaznia, por edhe me merkaton që jemi duke bërë, do punojmë shumë që të arrihet objektivi, kalimi në 32-she.

Me këtë rast, dua t’iu falënderoj ju, të gjithë opinionin sportiv në Shkodër, por mediat në veçanti për interesimin që tregojnë dhe shpresoj që ditën e ndeshjes, të kemi sa më shumë tifozë, si nga qyteti ynë i Shkodrës, por edhe shqiptarë të Malit të Zi, që të na mbështesin”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI