Privatizimi i klubit të futbollit Vllaznia është një ndër objektivat që ka Bashkia e Shkodrës. Në bashkinë e qytetit verior tashmë kanë filluar procedurat e vlerësimit të aseteve të klubit, por gjërat duket se kanë mbetur deri në këtë pikë.

Kompania e vlerësimit të aseteve të klubit ka nxjerrë edhe vlerën e tij, e cila u tha se ishte 55 milionë lekë të rinj, e vlerësuar si e papërfillshme nga shumë anëtarë të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Kjo është shuma fillestare që kërkohet për të nisur shitjen e Vllaznisë.

Mirëpo, ajo që mësohet është se vështirësitë për të bërë të mundur kalimin e klubit në duart e privatit duken të mëdha. Vetë numri një i klubit Vllaznia, kryebashkiakja Voltana Ademi, nuk e ka premtuar diçka të tillë për klubin me traditë, i cili mbush 100-vjetorin më 16 shkurt të këtij viti.

Ademi duket se ende nuk e ka dhënë të prerë mendimin e vet që Vllaznia do të privatizohet këtë muaj. Kështu, kuqeblutë mund të mos privatizohen edhe këtë vit, pasi deri në mesin e vitit 2019 një gjë e tillë është e pamundur e kjo do të bënte që edhe për sezonin e ri drejtuesit të fillojnë e të mendojnë sërish në pronësinë e Bashkisë së Shkodrës.

DREJTUESIT

Mesa duket, drejtuesit e klubit Vllaznia që tani kanë filluar të mendojnë për Vllazninë e sezonit të ri. Ata me sa mësohet kanë filluar që të mendojnë që në këtë periudhë për të menaxhuar sezonin e ardhshëm. Buxheti i akorduar nga bashkia për vitin 2019 në pamje të parë duket i mjaftueshëm, por kjo vetëm për të përballuar këtë sezon.

Ndërsa me rikthimin e ekipit në Superligë, shuma e akorduar sidomos për gjysmën e dytë të vitit duket e papërfillshme. Drejtuesit e klubit nuk duket se po mendojnë tani për privatizimin. Ata tashmë kanë filluar që të gjejnë rrugë të tjera për të gjetur financat e duhura, në mënyrë që të jenë në lartësinë e duhur për të përballuar sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.

Kështu, klubi shkodran është në kërkim të financuesve të rinj për Vllazninë e së ardhmes, duke lënë të kuptohet se edhe në vitin 2019 kuqeblutë nuk do të privatizohen. Me sa duket, edhe 2019-ta do të jetë një vit i vështirë për Vllazninë, pasi në rast se nuk sigurohen sponsorë, duket shumë e vështirë për të përballuar një sezon të mundshëm në rast ngjitjeje në Superiore, aty ku kostot janë shumë më të larta./panorama-sport/