Klevis Qefalija u dëmtua rëndë në kokë në ndeshjen kundër Egnatias, duke rrezikuar jo pak dhe tronditur shokët e ekipit. Sipas fizioterapistit të Tiranës, Arzen Voci, i cili mori përsipër këtë rast mjaft të vështirë, Qefalia kishte pësuar trauma në kokë, por tashmë ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Në një prononcim për median “Oversport” Voci deklaroi se lojtari do të kthehet ne fushë për 2 muaj, por gjithsesi është një rast që duhet ndjekur me kujdes.

“Fatmirësisht gjendja është e mirë. Klevi është në shtëpi dhe besoj po na ndjek nga televizori.

Mrekullinë e bëri një qënie më e gjithëfuqishme. Ne bëmë detyrën. Rasti ishte i vështirë. Kishte një traumë në kokë. Ndihma e parë ishte e rëndësishme që të mos mbytej me sekrecionet. Pjesën tjetër e bënë mjekët në spital.”- u shpreh fizioterapisti i Tiranës.